Përse protestojnë studentët?

Premte, 07 December 2018 08:51

Nga Dr.Bardhyl Musai

Kërkesat e studentëve janë grumbullim i padrejtësive të vazhdueshme dhe rrënimit të pandalshëm ekonomik të familjeve të tyre. Studentët janë të revoltuar pasi po i vritet shpresa, po i vjedhin të ardhmen.
STUDENTËT PROTESTOJNË, pasi po i detyrojnë të largohen nga vendi. Aktualisht jashtë Shqipërisë vazhdojnë studimet rreth 25 mijë të rinj, për shkollimin e të cilëve familjet shpenzojnë 500 milion euro çdo vit e që rreth 94% e tyre nuk duan të kthehen pas studimeve, jo pë shkak të varfërisë, por të mungesës së sigurisë.
STUDENTËT PROTESTOJNË, pasi familjet e tyre, shpenzojnë 3,9% të buxhetit, kur në vendet e BE-së shpenzimet familjare për arsimin janë 1,1%.
STUDENTËT PROTESTOJNË, pasi paratë e taksave të prindërve të tyre, i shpërdorojnë për luks e abuzime pa fre dhe jo për përmirësim të kushteve në auditore, për biblioteka, për teknologji etj., kërkesa këto të domosdoshme që universiteti të jetë me të vërtetë tempull i dijes.
STUDENTËT PROTESTOJNË, pasi buxheti i qeverisë është shumë më i ulët se plotësimi i nevojave minimale për universitetet që të zhvillojnë veprimtari normale. Sot ai është rreth 0,4 e PBB-së kur sipas premtimit (5 % e PBB për të gjithë arsimin) në zgjedhjet e 2013-s, sot duhej të ishte më shumë se tre herë më i lartë.
STUDENTËT PROTESTOJNË, pasi kaosi në universitete është shtuar, pasojë kjo e ligjit famëkeq të vitit 2015, e cili po e çon arsimin e lartë në buzë të greminës.
STUDENTËT PROTESTOJNË,…
Përpjekja e ministres së arsimit për të thjeshtësuar kërkesat e studentëve është e kotë. Në monologun e djeshëm ajo, me zemërim, arrogancë dhe mospërfillje, u shmang nga thelbi i çështjes, jepte shifra investimesh që nuk kishin të bënin me kërkesat e studentëve, e për më tepër, duke përdorur një fjalor dhe mendim të varfër e gjuhësisht të pasaktë. Ky qëndrim i ministres bëri që studentët të reagojnë menjëherë, të cilët shpërthyen në thirrje të shumta në kor, midis të cilave edhe: “Ti Linditë, ministër për arsim, nuk di shkrim dhe as këndim”!

Modifikuar më Premte, 07 December 2018 09:19
Login to post comments