Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Cërrikun, në kuadër të nismës që ka ndërmarrë “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar.
Presidenti Meta, me kryebashkiakun Altin Toska ishin të pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut nga shumë vullnetarë të rinj e të reja dhe ekipi i peshëngritjes së Shtërmenit.
“Kënaqësi që jam në Bashkinë e Cërrikut! Falënderoj kryetarin e Bashkisë, zotin Toska dhe të gjithë qytetarët, në mënyrë të veçantë vajzat dhe gratë e kësaj bashkie, të cilat janë në krye të këtij solidariteti për dhurimin e gjakut që është një aksion i vazhdueshëm në funksion të garantimit të gjakut për të gjithë fëmijët dhe të prekurit nga talasemia. Por edhe për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevojë për gjak.
Kjo është një seancë e veçantë, sepse Bashkia dhe qytetarët e Cërrikut ua dedikojnë qytetarëve të Lushnjes, të cilët kanë nevojë më shumë se çdo bashki tjetër e vendit për dhurimin e gjakut.”, – u shpreh Presidenti Meta.
“Dua të falënderoj edhe ekipin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, që punon me përkushtim për të përmbushur një kalendar sistematik, që garanton qëndrueshmërinë e funksionimit të dhurimit të gjakut në të gjithë vendin tonë.”, – theksoi Presidenti i Republikës.