Studentët janë të vendosur ta çojnë deri në fund protestën e tyre, deri në realizimin e të gjitha kërkesave. Studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditën e nesërme para Ministrisë së Arsimit. “Ajo që pamë ne sot ishte një përpjekje për të mashtruar studentët. Nëse tregojmë që kemi unitet këta nuk na manipulojnë dot. Ne jemi të vendosur që të gjitha protestat tona të plotësohen. Nëse nuk plotësohen do të përshkallëzohen. Deri të martën do të vendosim se deri në çfarë pike do ta përshkallëzojmë protestën” - tha një nga studentët në protestë. Sa i përket apelit të kryeministrit për negociata, studentët janë shprehur sërish qartë se e vetmja negociatë është plotësimi i kërkesave të tyre. “Jemi të informuar me deklaratën e kryeministrit. Është një kërkesë dyfytyrëshe e kryeministrit. Para dy muajsh largoi me forcë një studente nga salla, sot kërkon një negociatë, pasi e ndjen që nuk na mposht dot. Ne jemi kundër negociatës dhe grupeve të punës ne kërkojmë plotësimin e të gjitha kushteve”, tha një tjetër student.