Akademiku dhe profesori Artan Fuga, një nga zërat që ka mbështetur që në krye të herës protestën e studentëve ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Bordeve Administrative në universitetet shqiptare, si dhe të pezullohet puna e tyre.
Në një intervistë nga Parisi për “Kafein’, Fuga thekson se anëtarë të bordeve janë edhe nëpunës të Ministrisë së Arsimit, një konflikt i hapur interesi, si dhe marrin pagesa të majme, pa bërë asnjë punë.
“Unë kam kërkuar shkarkimin e të gjitha bordeve administrative të universiteteve shqiptare dhe pezullimin e punës së tyre sepse për mua në kaq kohë sa kanë ekzistuar janë me konflikt të rëndë interesi.
Jo vetëm që marrin para që s’ju takon, por kanë sjellë dhe degradimin financiare.
Në disa raste që unë di, anëtarët e bordeve marrin një honorar që në Shqipëri është një pagesë e majme dhe unë nuk kuptoj dot se si nëpunës i ministrisë së Arsimit të jetë edhe anëtar i bordeve administrative të universiteteve, sepse ka konflikt interesi dhe për më tepër të mos bëjë asnjë punë, por vetëm të prodhojë raporte dhe ta menaxhojnë universitetet sikur janë burgje”, u shpreh Fuga.