Qytetarët kanë vijuar si çdo ditë të shprehin shqetësimet e tyre në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” tw gazetarit Bashkim Hoxha në News24. Probleme nga më të ndryshmet me të cilat përballen çdo mëngjes, por nga ana tjetër nuk ka munguar solidarizimi e mbështetja për studentët.
Ata kanë inkurajuar studentët të vazhdojnë me protestat duke i bërë thirrje kryeministrit të plotësojë kërkesat e tyre dhe nga ana tjetër thirrje për të rinjtë që të mos manipulohen.
Telefonues 1: Desha të solidarizohem me protestat e studentëve. Ata janë vërtetë shtylla e Shqipërisë. Ju lutem atyre që të flasin edhe për ne, edhe për prindërit, edhe për njerëzit e nëpërkëmbur, për njerëzit e vuajtur.
Telefonues 2: Desha të pyesja kryeministrin me kë u konsultove kur miratove shpërblimin e famshëm për lindjen e një fëmije? A nuk është turp zoti km që në Bulqizë, zonja humbi trinjakët, se mungonte specialisti i fushës. Jeni të pabesueshëm, mashtrues, hajdutë. Ndaj mendoj se dialogu shkon në favor të kryeministrit dhe jo halleve që kanë studentët. Të lësh spitalin pa specialist. Këto janë ofertat e kryeministrit. Nuk mund të bësh dialog me këta.
Telefonues 3: Me protestën e studentëve bashkohem edhe unë. Desha të them se kë do sjellin në pushtet ata është problem.
Telefonues 4:Ose studentët të ofrojnë një grup jo partiak për zgjidhje ose do ngelen një hark i ngrehur për çdo grupim politik. Studentët jetojnë me byrekë e hamburgera ndërsa iu jep tendera firmave pa identitet. Konviktet janë si në kohën e partisë së punës.
Dy kategori kërkojnë euro, qeveria me taksën e Rrugës së Kombit dhe pedagogët se nuk iu hyn në sy leku.
Telefonues 5: Jam prind dhe solidarizohem me kërkesat e studentëve. Kam një kërkesë për zotin Rama. Jam votues i majtë, t’i lërë kërcënimet. Me të drejtë studentët nuk kërkojnë negociata sepse kërkesat e tyre janë të qarta. Rama mos të mbledhë studentët por Këshillin e Ministrave, pedagogët dhe të gjejë mënyrën për plotësimin e kërkesave të tyre. Ju bëj thirrje studentëve të kenë kujdes nga manipulimet. Edhe ne që jemi votues të kësaj qeverie jemi me ata.
Telefonues 6: Kam qenë tek protestat e studentëve edhe pse s’kam fëmijë studentë tani. Kërkesat e tyre janë plotësisht të drejta. Të ulen tarifat, kanë shumë të drejtë. Vendi është buzë greminës.