Shefja e departamentit të Letërsisë në Fakultetin Filologjik Lili Sula e ftuar në studion e "Ora News", tha se nuk e di se çfarë pret më shumë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla për të dhënë dorëheqjen.
Sula: Këtë protestë e shoh shumë më të thellë në kohë. Kjo nuk është një protestë që lindi në mënyrë spontane. E shoh tek ligji i arsimit të lartë i miratuar në 2015, për të cilën ne si pedagogë kemi reaguar, por studentët na e kanë kaluar. Studentët sot po dëshmojnë se janë personazh historikë dhe po shkruajnë histori. Lëvizja e sotme, unë kam qenë tre herë, është madhështore. Janë bashkuar studentë të rretheve dhe gjimnazistë për të dëshmaur se janë një forcë sociale e madhe. Unë mendoj se ministresha duhet të kishte përgjegjshmërinë të jepte dorëheqjen. Çfarë do të kërkonte më shumë ministrja për të dhënë dorëheqjen kur mijëra studentë janë aty. Arsimi i lartë është në kolaps dhe ju siguroj edhe si shefe departamenti. Për mendimin tim, kjo nuk është vetëm krizë e arsimit të lartë por edhe krizë sociale. Mendoj se studentët kanë në dorë fatet siç i kanë pasur studentët e viteve 1990 kur bënë ndryshime të mëdha.