Policia Kufitare vijon zbatimin e masave shtesë në kontrollin e mjeteve dhe dokumentacionin e udhëtarëve. Gjatë 24 orëve të fundit është kapur një kamion në brendësi të të cilit kishte 5 kg e 300 gr lëndë narkotike. Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër. Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj, të cilët janë kapur duke kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës gjatë kontrollit të ushtruar mbrëmjen e djeshme në vijën e dytë, në kabinën e një kamioni kanë gjetur të fshehur lëndë narkotike.
Gjatë peshimit të kryer nga ana e Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve lënda narkotike e llojit marijuanë ka rezultuar në peshën 5 kg e 300 gr, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Është arrestuar në flagrancë shtetasi T.H, 31 vjeç, banues në Durrës (drejtuesi i kamionit) dhe është shpallur në kërkim shtetasi E.H.
Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve “.
Gjithashtu , si rezultat i kontrolleve të dokumentacionit të udhëtarëve janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj me dokumente të dyshuara të falsifikuara, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme, konkretisht:
V.E, 30 vjeç, banues në Turqi;
S.A, 43 vjeç, banues në Turqi;
R.A, 32 vjeçe, banuese në Filipine.
Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” parashikuar në nenin 189 të Kodit Penal. Policia Kufitare vijon punën për të goditur paligjshmërinë në kufi duke forcuar kontrollet për verifikimet kufitare.