Në emisionin e sotëm të “Pa gjurmë” është prezantuar historia e Fatmir Osmani, i cili kërkohet nga vajza e tij, Faviljona. Fatmiri ka humbur kontaktet me familjen që prej vitit 1996.
Vajza e tij ka dërguar një letër në redaksinë e emisionit ku edhe tregon historinë e dhimbshme të jetës së saj.
“3 muaj pas lindjes time, mamaja që është me origjinë nga Borshi i Sarandës më braktisi në një rajon policie. Në atë kohë, policia kërkoi më shumë se dy ditë për të më gjetur babain dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Nga babai, unë kisha gjyshërit dhe tre xhaxhallarë si dhe një hallë. Nga policia, mua më ka marrë xhaxhai i madh pa djeninë e gjyshit. Ky i fundit nuk pranonte që unë të jetoja me ata, pasi kërkonte që unë të dorëzohesha në shtëpinë e fëmijës. Pas shumë përpjekjesh, gjyshja e bindi gjyshin dhe unë jetova me ta. Babai im nuk kujdesej shumë për mua, pasi ishte përdorues i alkoolit. Kur u hapën kufijtë në vitet 1991, babai im emigroi jashtë vendit duke më lënë tek gjyshërit.”
Në një lidhje telefonike, ajo tregon se para se i ati të largohej nga Shqipëria la amanet që Faviljona të rritej nga familja e tij dhe shtëpia të mos shitej. Por edhe pse amanet jeta e saj ishte e vështirë.
“Jeta ime ka qenë shumë e vështirë, që në moshën 5 vjeçare. Cdo ditë keqtrajtohesha nga gjyshi dhe nga xhaxhai i vogël. Më kujtohet kur ikja në shkollë, që kokën e kisha të mbushur me plagë dhe sistematikisht ushtrohej dhunë fizike dhe psikologjike mbi mua. Në moshën 14- vjeçare detyrohem të largohem nga shtëpia dhe të gjej njerëzit e nënës time. U nisa në Borsh dhe qendrova një javë aty, mësova për vendodhjen e nënës time. Jetonte në Greqi dhe pashë për herë të parë imazhin e saj në foto. Nëna ime kishte nisur një jetë të re, ndërsa unë jetoja këtë jetën time të trishtë. Ajo ishte martuar dhe kishte sjellë në jetë një vajzë. Pas mësova këtë lajm u nisa drejt Greqisë. Më kujtohet mirë, ishte ora 11:00 e natës kur mbërrita në Athinë dhe binte shi…dhe nëna ime nuk doli edhe tezja ne telefon me zhgënjeu..aty gjithçka mu përmbys.
Prej këtu ajo tregon se si u detyrua që të punonte në Greqi dhe mbi takimin e parë dhe të fundit me nënë e saj.
“Mbeta e vetme në mes të katër rrugëve për disa orë, derisa takova një familje nga Dibra. Ata më morën dhe më strehuan. Jeta ime e vështirë vazhdoi në një ishull të bukur të Greqisë, ku nisa edhe punë. Pas kohësh unë arrita ta gjeja atë për të cilën kasha shkuar, nënën time. Takimi im i parë dhe i vetëm ishte në shtëpinë e motrës së saj. Ky takim zgjati vetëm një orë dhe aty kuptova me të vërtetë se perpjekjet e mia dhe ëndrrat gjithashtu kishin qenë të ….dhe se nuk kishin më kuptim. Nga ai moment, unë s’kam me kontakte më me nënën time, por me motrën dhe vajzën e saj të dytë kam marrëdhenie të shkëlqyera dhe jam e lumtur që e kam.”
Tashmë ajo ka një vajzë me ish-të fejuarin saj, me të cilën jeton në Gjermani. Por sërish ajo ka një peng.
“Ajo që më ka mbetur peng është e vërteta që dua të di për babain tim. Mbaj mend se ai u nis drejt Greqisë, pot në vitin 1996 solli një pako për mua, ku më kishte derguar rroba shumë të bukura, në shtëpinë e gjyshërve me një shokun e tij, nga Belgjika.Në vitin 2006 djali i xhaxhait tim ka bërë kërkime nëpërmjet interpolit dhe ka marrë përgjigje se ai është shëndosh e mirë, por nuk ju lejohet të japin të dhënat e tij. Në burgjet e Greqisë e kam kërkuar vetë por nuk rezulton. Dua ta mbyll letrën time me shpresën se mund ta gjej babain tim.”