Ka nisur në 8:30, protesta e studentëve të Universitetit “Fan Noli’ në Korçë. Protestës i janë bashkuar edhe tre shkolla të mesme. Gjimanistët kanë bojkotuar mësimin dhe janë bashkuar me më të rritur në revoltën që është shpërndarë nga oborri i universitetit në të gjithë qytetin.
Të rinjtë do të mblidhen tek Katedralja e qytetit dhe do të qendrojnë në heshtje si një formë e re proteste që u zbatua dje për herë të parë në Tiranë, para Ministrisë së Arsimit.
Sot, në ditën e 10 të protestës, qeveria vazhdon të kërkojë dialog me studentët para se të ndërmarrë hapa për plotësimin e kërkesave të tyre, dialog që vazhdimisht po refuzohet.
Kërkesat e studentëve të Korçës drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit të Universitetit Fan S Noli:
1. Paisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019.
2. Dyfishim i buxhetit për arsimin e larte.
3. Pergjysmim i tarifes se studimit për të gjithë.
4. Përmirësimi i kushteve në konviktet e Universitetit.
5. Mbështetje e studentëve me fonde për kërkime shkencore dhe kryerjen e praktikave mësimore.
6. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor, dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
7. Bordi i Administrimit të Universitetit të ketë numër të barabartë votash nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Universitetit, por të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.