Policia e Korçës ka arrestuar dy persona, të kapur në flagrancë për shpërndarje lëndësh narkotike të forta, teksa ka sekuestruar rreth 423.8 gramë heroinë, një sasi kanabisi, 19 tableta metadoni, si dhe fishekë luftarakë.
Gjatë kontrollit që ka ushtruar policia, shtetasit L.M. i janë gjetur në hyrje të banesës së të arrestuarit tjetër M.Xh., disa doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Ndërsa pas kontrollit të banesës së këtij të fundit u gjetën 423.8 gramë heroinë, sasi që ishte ndarë edhe në 109 doza të gatshme, 19 tableta metadoni, një sasi e dyshuar cannabis sativa, 45 copë fishekë me mbishkrim “E.”, si dhe një peshore elektronike.
Pas veprimeve proceduriale rutinore të specialistëve të seksionit për narkotikët, materialet i janë referuar tashmë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Korçës.