Koment: Mbrojtja e klimës nuk ka ndonjë alternativë

Hënë, 17 December 2018 13:51

Konferenca e klimës në Katovicë nuk ka shënuar ndonjë kthesë tepër të rëndësishme në luftën për mbrojtjen e klimës. Por takime të tilla janë të domosdoshme, mendon Jens Thurau.

Po, pyetja të cilën ka shtruar këto ditë studiuesi gjerman i klimës, Hans Joachim Schellnhuber, është me vend: A janë të përshtatshme këto konferenca gjigande me mijëra pjesërmarrës dhe negociata shtesë për të zgjidhur problemin e klimës? Në radhë të parë, kur shihet se lirimi i gazrave të dëmshme është rritur prej fillimit të konferencave, pavarësisht qëllimeve dhe marrëveshjeve?

E vërtetë është po ashtu: Në këto konferenca nuk ka ndonjë marrëveshje të thjeshtë, për qëllimet e parashtruara në samitin e Parisit. Ky ka qenë në Katovice një prej problemeve më të mëdha. Vendet si Arabia Saudite, Kuvajti, SHBA dhe Rusia - e në të ardhmen edhe Brazili - nuk mendojnë se ndryshimi i klimës është një çështje jetike.

Vendet që refuzojnë

Kundërthëniet mes paralajmërimeve dramatike dhe asaj që politikanët po bëjnë kundër ndryshimeve të klimës janë tërësisht të pakuptueshme. Në shumë vende, ndër to edhe në Gjermani, një sasi e madhe e energjisë prodhohet ndërkohë nga burime të rinovueshme të energjisë. Kundër trendeve të këtilla dhe kundër ndalimit të përdorimit të qymyrit dhe naftës, janë deklaruar vendet arabe, SHBA, Rusia dhe evropianolindorët. Për fat të keq edhe Gjermania.

Përkundër faktit që shumica e ekspertëve mendojnë se ditët e qymyrgurit janë të numëruara dhe nuk ka llogari të investohet në këto burime. Por shpesh merret parasysh vetëm politika ditore. Gjithandej po rritet niveli i gazrave të çliruara nga makinat, avionët dhe anijet. Ky është edhe një prej problemeve më të mëdha që pamundësojnë aktualisht mbrojtjen e klimës.

Takimet pa alternativë

A ia vlen pra të mbahen këto konferenca? Ndoshta më së miri do të ishte të pyeten delegacioniet e Fixhit apo vendeve të Afrikës. Në këto takime ata gjejnë një forum ku dëgjohen nga të tjerët dhe ku mund të raportojnë për rreziqet për ekzistencën. Na Katovicë u tha se deri në vitin 2020 do të ndahen rreth 100 miliardë dollarë për mbrotjen e klimës. Vlerësohet se 80 miliardë janë gati. Para, të cilat pa këto takime me siguri që nuk do të mblidheshin. Tek e fundit, takimet e këtilla janë ndër vendet e rralla për zgjidhjen e problemeve globale, nën mburojën e OKB. Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antônio Guterres ka paralajmëruar delegacionet disa herë për gjendjen aktuale dhe domosdoshmërinë e marrëveshjeve.

Pas disa dekadave mbase do të dihet se cilat janë rezultatet e vërteta të këtyre takimeve për klimën. Ndryshimi i klimës është një problem global, të cilin mund ta zgjidhim vetëm të bashkuar. Kjo thuhet shpesh, por është vërtet e saktë. Me 2020 do të futet në fuqi Marrëveshja e Parisit, si instrumenti i vetëm deri tani për mbrojtjen e klimës. Ndaj këto konferenca gjigande duhet të vazhdojnë, përkundër mosmarrëveshjeve të shpeshta.

Login to post comments