Protestës së studentëve që do të zhvillohet sot përpara Kuvendit priten t’i bashkohen qytetarë nga i gjithë vendi. Vetëm nga Shkodra mësohet se janë nisur drejt Tiranës 5 autobusë, disa furgonë dhe makina private.
Në total nga ky qytet pritet që të nisen 1 mijë persona, ndërsa kreu demokrat Xhevdet Amuli është shprehur: Jemi pranë studentëve kundër kësaj qeverie. Ka shumë arsye për të cilat ne protestojme sot, si largimi i rinise taksa të larta, shumë familje në varfëri ekstreme, kjo proteste është e domosdoshme për përmbysjen e regjimit të Edi Ramës.
Nisje të qytetarëve do të ketë sot dhe nga Lezha, Vlora, Durrësi, Elbasani dhe qytete të tjera të vendit. Edhe nga Gjirokastra dhe Kukësi janë nisur prej orëve të para të mëngjesit nga 250 protestues.
Protesta e studentëve pritet që të rikthejë sot në Kuvend dhe deputetët e opozitës, një pjesë e të cilëve do të jenë në sallë, dhe pjesa tjetër pritet që të qëndrojë me studentët.
Protesta e studentëve vijon tashmë prej më shumë se dy javësh, ku shumica e tyre kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Rama, i cili publikoi dje dhe ‘’paktin për universitetin”, që nënkupton plotësimin e disa prej pikave që kërkojnë studentët por jo realizmin e 8 pikave që ata këmbëngulin të realizohen.