Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë, vendimit të qeverisë shqiptare për të dëbuar Ambasadorin e Iranit nga Shqipëria dhe një zyrtar tjetër të misionit. Reuters shkruan se Shqipëria njoftoi se dy diplomatët iranianë janë dëbuar për arsye të sigurisë kombëtare.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Edlira Prendi, u tha gazetarëve më 19 dhjetor se diplomatët ishin të dyshuar për “përfshirje në aktivitete që dëmtonin sigurinë e vendit” dhe “shkeljen e statusit të tyre diplomatik’.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tha për Associated Press që dëbimet u vendosën pas bisedimeve me shtete të tjera, përfshirë Izraelin.
Zyrtarët shqiptarë nuk specifikuan se kush ishin diplomatët apo çfarë shkeljesh kishin bërë.
Por këshilltari për sigurinë i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, shkroi në Twitter se Kryeministri Edi Rama “sapo dëboi ambasadorin e Iranit, duke i sinjalizuar liderët iranianë se mbështetje e tyre ndaj terrorizmit nuk do të tolerohet.”
Agjencitë e lajmeve e kanë identifikuar Ambasadorin e Iranit në Tiranë si Gholamhossein Mohammadnia.
Reuters raportoi se një diplomat iranian i kontaktuar nga agjencia e lajmeve nuk iu përgjigj pyetjeve dhe se telefonatave ndaj Ambasadës së Iranit në Tiranë nuk iu përgjigjen.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Teheranin janë tensionuar pasi rreth dymijë anëtarë të grupit të opozitës iraniane në mërgim, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit arriti në këtë vend ballkanik në vitin 2013. Shqipëria i strehoi ata me kërkesë të SHBA dhe OKB pasi u detyruan të largoheshin nga Iraku. Shumë prej tyre janë vendosur në fshatin Manzë pranë detit Adriatik./ar.sh/SYRI.NET