Anës dijes, i panxënë...

E Enjte, 20 December 2018 16:18

Nga Dritan Shano

Sot, ne shqiptarët shkojmë në spitale ku nuk shërohet dhe shkolla ku nuk mësohet. Ndërsa gjithnjë do ketë kohë për të rregulluar spitalet, koha për të ndrequr shkollën shqiptare po mbaron, përkundër shpejtësisë me të cilën po ndryshon bota sot. Arsimi, është burimi më i rëndësishëm ekonomik i shekullit të 21. Nuk është as nafta, as kromi, as deti dhe as domatja. Për Shqipërinë, investimi në Arsim, është e vetmja çështje kombëtare, i vetmi prioritet strategjik që duhet ndjekur, është njëherësh shpresa jonë e fundit për të dalë nga bataku politik, ekonomik dhe social ku jemi. Në shekullin e 21, Arsimi fillon rreth moshës 3 vjeç dhe nuk mbaron më, deri sa të vendosësh të mos punosh më. Në shkollat tona, në epokën dixhitale, ende dija që mësohet është si të punosh me "kazëm". Në shkollat tona nuk mësohet Krijimi dhe të Menduarit Kritik por Përsëritja me besnikëri e asaj që të thotë zysha. Po e the mirë, merr 10. 😉
Mbajeni vath në vesh, nëse doni të shpëtoni nga politikanët detyrojini të investojnë paranë publike në arsim. Mos kërkoni asgjë tjetër prej tyre. Asgjë tjetër. Investimi në Arsim krijon pavarësinë e individit dhe të krijimit të pasurisë nga politika, ndaj politikanët do tentojnë të largojnë investimin publik nga Dija dhe ta çojnë në mënyrë të fragmentuar, në palma, sheshe, apo rrugë dhe rrugica.
Investimi në arsim i tejkalon mandatet 4 vjeçare dhe politikanët nuk kanë çfarë të inaugurojnë sepse pasuria dhe fuqia ekonomike që arsimi krijon ndodhin brenda çdonjerit prej nesh; kjo pasuri nuk mund të na merret as me ligj dhe VKM-ra, dhe nuk mund te depozitohet në xhepat e politikanëve apo në kompani offshore. Kjo pasuri mund të na merret veçse duke na prerë kokën, vendin ku ndodhet kjo pasuri.
Prandaj, ata do përpiqen të krijojnë urgjenca dhe emergjenca buxhetore, ku të mund t'i harxhojnë paratë publike siç kanë bërë deri tani.
Qytetarët shqiptarë duhet t'i detyrojnë, edhe me forcë, politikanët që u kanë zënë derën që të investojnë në arsim. Investimi në arsim është si rritja e një fëmije, dhe rezultatet i jep po njësoj, është afatgjatë - si vetë jeta.
Megjithatë, duhet të mbajmë parasysh se, përveçse i pamjaftueshëm, prodhimi i diplomave nuk prodhon autmatikisht dije. Prandaj dhe investimi në arsim duhet të ndryshojë krejtësisht sistemin tonë arsimor nga A tek ZH. Kjo nuk është teori. Ka ndodhur në vende të tjera; ne mjaft që të marrim frymë thellë, dhe të ndjekim shembullin e tyre.
.
.
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

 

Login to post comments