Presidenti Meta i ftuar sot në emisionin “Debat” në RTK ka deklaruar se zgjidhjen përfundimtare të problemeve të mbartura mes Kosovës dhe Serbisë e sheh me anë të kompromisit. “Unë e shikoj me kompromis dhe kompromisi është e ardhmja europiane për Serbinë, e ardhmja europiane për Kosovën, e ardhmja europiane për shqiptarët dhe serbët, pavarësisht ku ata jetojnë, në Kosovë apo Serbi”, - ka deklaruar Meta. I pyetur nga gazetari Ridvan Berisha se çfarë do të thoshte për të “kompromis”, Presidenti saktësoi se “Kompromisi do të thotë që Serbia të njohë Kosovën dhe Kosova të marrë vendin e saj në OKB dhe gjithë institucionet e tjera, si edhe Serbia të marrë dritën jeshile për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pasi ka zgjidhur një problem të saj me fqinjët e saj”.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: Mbizotëron përshtypja se përfshirja direkte e SHBA është mëse e nevojshme për të garantuar paqen. Çfarë mendimi keni ju?
Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që SHBA-të kanë pasur rol lider në të gjithë zhvillimet në rajonin tonë dhe aq më tepër edhe përsa i takon zhvillimeve të cilat sollën fundin e gjenocidit të Millosheviçit në Kosovë, por edhe përsa i takon pavarësisë së Kosovës, ecurisë pozitive të saj përgjatë këtyre dy dekadave në liri. Roli i tyre mbetet mjaft i rëndësishëm edhe në të ardhmen. Ashtu sikurse do të donim të shikonim gjithmonë një bashkëpunim, koordinim sa më të ngushtë brenda të gjitha vendeve të “Kuintit” dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të Gjermanisë, Francës, por edhe të Britanisë së Madhe që pavarësisht nga vendimi i saj për të dalë nga BE-ja, përsëri ka një rol mjaft të rëndësishëm në kontinentit tonë, por edhe në NATO.
Gazetari: Si e shihni zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me kompromis apo siç flet sot gjendja në të dyja vendet?
Presidenti Meta: Unë e shikoj me kompromis dhe kompromisi është e ardhmja europiane për Serbinë, e ardhmja europiane për Kosovën, e ardhmja europiane për shqiptarët dhe serbët, pavarësisht ku ata jetojnë, në Kosovë apo Serbi.
Gazetari: Çfarë do të thotë kompromisi për ju zoti President?
Presidenti Meta: Kompromisi do të thotë që Serbia të njohë Kosovën dhe Kosova të marrë vendin e saj në OKB dhe gjithë institucionet e tjera, si edhe Serbia të marrë dritën jeshile për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pasi ka zgjidhur një problem të saj me fqinjët e saj.
Gazetari: Pa e ndryshuar Kosova kuadrin e sotëm kushtetuese?
Presidenti Meta: Nuk e kuptoj pse duhet. Kosova këtë Kushtetutë që ka, e ka bërë në marrëveshje me ndërkombëtarët.
Gazetari: Ju keni qenë kategorik ndaj idesë së Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, madje e keni quajtur këtë çështje si kohë e humbur. A e keni diskutuar me z. Thaçi këtë ide dhe qëndrimet tuaja?
Presidenti Meta: Nuk është dëshira ime që të hyj në detaje apo në komente të qëndrimeve të caktuara, si të Presidentit Thaçi, si të drejtuesve të tjerë të institucioneve të Kosovës. Është përgjegjësi e tyre të marrin vendimet e duhura në procesin e këtij dialogu, në respekt me Kushtetutën e Kosovës. Ajo që unë e kam bërë të qartë dhe e theksoj është që unë i besoj shumë bashkëjetesës si zgjidhje finale në rajonin tonë dhe nuk i besoj asnjëherë ndryshimit të kufijve.
Në rastin konkret Presidenti Thaçi ka folur për korrigjimin e kufijve që është një term tjetër. Nuk ka folur për shkëmbime territoresh aq më tepër bazuar mbi vija etnike. Sidoqoftë ajo që unë kam theksuar në të gjitha takimet që kam pasur, si institucionale apo shoqërore e informale me drejtuesit e Kosovës, qoftë të opozitës, qoftë të mazhorancës, gjithnjë mesazhi ka qenë që kjo është një temë e dialogut që duhet përballuar bashkërisht sepse është një temë madhore që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës. Duhet të ketë një bashkëpunim të të gjithë aktorëve në mënyrë që Kosova të jetë sa më e fortë në këto tryeza, sa më e unifikuar, sa më e qartë në vendimet që do të marrë.