Politika t’i përgjigjet pikënisjes reflektuese që dha Presidenti

Hënë, 24 December 2018 10:13

Nga Ndriçim Kulla

 

Protesta studentore, pavarësisht se është fokusuar në zgjidhjen e 8 pikave, ka shërbyer fortësisht edhe si një katalizator i shpalosjes, zbulimit apo dhe rifokusimit, të shumë problematikave të mëdha nga të cilat po vuan prej kohësh shoqëria jonë. E kuptuar në këtë dimension, ligji i ashtuquajtur i të pasurve, ose ndryshe përpjekja për ta ulur tatimin mbi dividentin nga 15% në 8%, dhe për më tepër me periudhë paravepruese 3-vjeçare, nuk duhet parë thjesht si një korrigjim i një padrejtësie fiskale. Përkundrazi, ai duhet të lidhet me kontekstin dhe domosdoshmëritë imperative që na shtron situata në të cilën ndodhemi.

 

Lëvizja për uljen e tarifave, zbuloi në thellësinë e vet një miriadë të tërë ngjarjesh e historish personale studentësh e familjesh të gjunjëzuara nga varfëria dhe të poshtëruara nga mos ndihma dhe dora sociale e shtetit. Korrupsioni i shpallur në të gjitha format, i profesorëve dhe rektorëve zbuloi një zinxhir të tërë padrejtësish dhe pabarazish që qenë mahisur aq shumë sa të shpërthenin në një revoltë të pandalshme. Ndaj më mirë do të qe që kjo kohë e re që po nis falë guximit dhe qëndresës studentore të quhet koha e gishtvënies në plagët më të mahisura të Shqipërisë, siç janë varfëria, padrejtësia dhe pabarazia.

Në këtë kuptim, edhe ligji që ktheu presidenti duhet të konsiderohet vërtet një kontribut shpalosës dhe fokusues i tij për një problem akoma dhe më të rëndë të shoqërisë sonë, siç është lidhja, përkrahja dhe lehtësimi fiskal që qeveria bën për biznesmenët më të mëdhenj të këtij vendi. E kemi përsëritur shpesh, çdo reformë, çdo buxhet e çdo paketë fiskale, për kushtet e Shqipërisë, duhet patjetër të ketë dhe paketën mbrojtëse sociale. Sot, me gjithçka që u shpalos aq dhimbshëm në fytyrë të gjithë Shqipërisë, duhet të themi se na nevojitet edhe një paketë e gjerë dhe e thellë anti-oligarki, në kuptimin e luftës ndaj padrejtësisë dhe pabarazisë në çdo fushë të veprimit të biznesit. Presidenti e hapi rrugën e këtij procesi, tanimë i takon politikës dhe shoqërisë ta zgjerojë dhe shtrojë sigurtshëm këtë rrugë. Për shkak të demokracisë shumë të brishtë, vendi ynë këto vitet e fundit ka filluar të rrëshqasë drejt një forme shumë të rrezikshme qeverisje, sot mund të themi pa frikë se rendi shoqëror në Shqipëri është një diktaturë oligarkike, e cila në vetvete ndoshta është forma me e rrezikshme e një rendi shoqëror, sepse nëse diktaturat politike rrëzohen me revoltë shoqërore, për të rrëzuar një diktaturë oligarkike duhet një revolucion popullor.

Le ta ilustrojmë me disa shembuj. Sot kudo ku të rrotullohesh nëpër Shqipëri dëgjon që kjo pronë, ky investim, kjo minierë, ky det, kjo tokë etj., janë ose të Samir Manes, të Cet Kastratit, Bashkim Ulaj ose të një manjati tjetër. Shkon prindi që t’u tregojë fëmijëve bregdetin e bukur të Palasës, aty ku thuhet se zbarkoi Cezari për t’u përleshur me Pompeun, por nuk mundet të shkojë me tutje se fillimi i plazhit, ajo pronë dhe plazh kombëtar mund të shijohet vetëm nga të paktët. Pastaj shikon prindi se edhe përroin që dikur derdhej me hare në Jon, ai përrua që për mijëra vjet ka krijuar atë plazh të mrekullueshëm e kanë burgosur, e kanë kthyer në një kanal betoni; Shkon prindi në plazhin e Poros dhe aty merr vesh se Lagunën e Këndellës, një perlë e natyrës kanë ndërmend ta kthejnë në port jahtesh. Këtë barbari as ISIS nuk do të guxonte ta bënte, plazhi bashkë me pyllin dhe lagunën i janë dhënë një oligarku për të ndërtuar hotele.

Të jesh sipërmarrës sot në Shqipëri nuk është e vështirë, për sa kohë që nuk ke ndërmend të ndërmarrësh biznes në sektorët e oligarkëve pasi sot të gjithë e dinë që dogana, tatimet, krimi ekonomik janë në shërbim të tyre, saqë sa herë shikon ndonjë rubrikë për sekuestrime apo arrestime të këtyre strukturave të duket sikur po shikon pjesë nga seriali “El Chapo”, pasi kuptohet qartë se strukturat e shtetit dalin në aksion për llogari të vetëm disa personave, nga ata i marrin urdhrat dhe nga ata punësohen edhe ne zyrat e shtetit. Aristoteli e përdori termin oligarki për të përshkruar pushtetin e pak njerëzve kur ai ushtrohej jo nga më të aftët por nga njerëz të këqij padrejtësisht.

Në këtë kuptim, oligarkia është një formë e keqe e aristokracisë. Aristokracia sipas Aristotelit është qeverisja nga pak njerëz, por që mishërojnë virtytet me të mira. Në demokraci si kjo e jona oligarkët me sukses kthehen në plutokratë, në parlament gjen me shumicë njerëz që pushtetin politik e kanë vetëm si rrjedhojë të pushtetit material, ata nuk kanë ide zhvillmi, vetëm interesa materialë për vete dhe për establishmentin që përfaqësojnë. Sot në Shqipëri Autoriteti i Konkurrencës, është pothuaj inekzistent, ose mund të themi që ekziston thjesht si noter i oligopoleve të oligarkëve, nuk kemi parë deri më sot asnjë hetim serioz të këtij Autoriteti për shkeljen e barazisë konkurruese në treg, për barrierat fiktive që në dogana ndërmjet referencave arbitrare të cilat nuk aplikohen njëlloj për të gjithë, e kështu me radhë.

Që të vazhdosh në shpalosjen e rasteve ku oligarkia ka shprishur kontratën shoqërore të shoqërisë shqiptare, s’do të mbaronim as gjithë netët e gjata të këtij dimri. E që e gjithë kjo histori të mos kthehet vërtet në një përrallë dimri, politika, nga të dyja anët (sepse edhe opozita, padyshim, ka edhe përkrahësit e vet oligarkë), dhe në një vështrim introspektiv 360 gradë, duhet t’i përgjigjet kësaj pikënisjeje reflektimi që dha presidenti, për ta kthyer në një program imperativ, të detajuar dhe të shpalosur që në zgjedhjet që na presin, pasi koha s’pret më. Është koha e vënies përfundimtare të gishtit në plagë dhe zgjidhjes urgjente të problemeve që po na shfaq ulëritshëm para syve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...