Sejko paralajmëron rritje të interesave në gjysmën e dytë të 2019-s; Rënia e prodhimit të energjisë ka ngadalësuar ekonominë

Hënë, 24 December 2018 17:19

Banka e Shqipërisë ka vendosur që të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1%, por ka paralajmëruar se mund të ketë një ndryshim të kursit drejt rritjes në gjysmën e dytë të vitit 2019. Banka ka paralajmëruar se ekonomia ka vijuar trajektoren rritëse në gjysmën e dytë të 2018-s, por ulja e prodhimit të energjisë elektrike vlerësohet të ketë ndikuar në ngadalësimin e saj.

Këto informacione u bënë të ditura nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare, ku ka paraqitur dhe një përmbledhje të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2018.

Aktiviteti ekonomik ka vijuar rritjen në gjysmën e dytë të 2018-s, nga të dhëna të tërthorta si rritja e punësimit dhe ulja e punësimit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pasqyron rritjen në prodhim dhe shërbime. Megjithatë si rrjedhojë e uljes së prodhimit të energjisë pritet një ngadalësim i ekonomisë në gjysmën e dytë të vitit, tha Sejko.

Sejko tha se politika monetare ka pasur ndikim pozitiv dhe mbetet e përshtatshme. Kjo politikë monetare është transmetuar përmes uljes së normës bazë dhe injektimit të likuiditetit të vazhdueshëm, si dhe ndërhyrjes në tregun valutor në periudhën e verës. Interesat e ulëta kanë mbështetur zgjerimin e kredivë, qe u rrit me rreth 5%, i pastruar nga kreditë e këqija dhe nxjerrja e huave jashtë bilancit. Kreditë me probleme janë ulur në 12.7% në nëntor.

Ndërhyrja e përkohshme në tregjet valutore ka balancuar kërkesën dhe ofertën valutore, tha Sejko.

Krahu konsolidues i politikës fiskale në gjysmën e dytë të vitit ishte më i fortë se ai i parashikuar duke pasur më pak shpenzime nga ana e qeverisë.

Megjithatë, në balancë, ecuria ekonomike në gjysmën e dytë të vitit ka qenë pozitive. Rritja ekonomike ka krijuar premisa për të çuar inflacionin në objektiv në afatin e mesëm. Sejko tha se inflacioni prej 1.8% është nën objektivin e Bankës, për shkak të nënçmimit të euros. Sejko tha se pritet që inflacioni të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit të ardhshme.

Në këto rrethana, Banka e mbajti të panryshuar normën bazë në nivelin e 1%. Ruajtja e intenstitetit të stimulit monetar pritet të rrisë kërkesën agregate, tha Sejko, duke shtuar në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e normës bazë të interesit nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.

 

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT

Megjithëse informacioni i disponuar mbetet i pjesshëm dhe i tërthortë, të dhënat e marra në analizë sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në rritje, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Rritja ekonomike është pasqyruar në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese, sikundër tregon rritja e punësimit, reduktimi i normës së papunësisë, si dhe forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste.

Kjo ecuri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona të mëparshme dhe nuk sjell ndryshime të rëndësishme në parashikimet tona për të ardhmen. Ndër të tjera, ajo evidenton ndikimin pozitiv që ka patur politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë, dhe sugjeron se qëndrimi aktual i kësaj politike mbetet i përshtatshëm, si për të siguruar një rritje ekonomike në linjë me potencialin prodhues të vendit, ashtu edhe për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.

Në këndvështrimin sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se pasqyron kryesisht rritjen e prodhimit në industri e shërbime. Megjithatë, të dhënat e disponuara tregojnë se ritmi i rritjes së prodhimit të energjisë elektrike ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, duke sugjeruar për një ngadalësim të lehtë të rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.

Në këndvështrimin e kërkesës agregate, rritja ekonomike duket se ka vijuar të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve shqiptare. Nga ana tjetër, kahu konsolidues i politikës fiskale, gjatë tremujorit të tretë dhe pjesës më të madhe të tremujorit të katërt, ka qenë më i fortë se ai i parashikuar, duke sjellë një kontribut më të ulët se parashikimi të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike.

Në balancë, konteksti i përgjithshëm i zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend mbetet pozitiv.

Ekonomia shqiptare vijon të përfitojë nga ecuria pozitive e partnerit tonë kryesor tregtar, Eurozonës, nga bilancet financiare në përmirësim të familjeve dhe bizneseve, si dhe nga konsolidimi fiskal, i cili ka reduktuar primet e rrezikut në tregjet e brendshme financiare.

Paralelisht me këta faktorë, zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka vijuar të mbështetet nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë. Kjo politikë është transmetuar nëpërmjet nivelit të ulët të normës bazë të interesit, injektimit të vazhdueshëm të likuiditetit në tregun e brendshëm financiar, orientimit të tregut mbi kahun e politikës monetare në të ardhmen, si dhe ndërhyrjeve selektive në tregun valutor gjatë periudhës së verës.

Stimuli ynë monetar ka krijuar një ambient financiar likuid dhe me norma të ulëta interesi, si dhe ka zbutur efektin e presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit. Normat e ulëta të interesit kanë mbështetur zgjerimin e kreditimit: e pastruar nga efekti i kursit dhe nxjerrjae kredive jashtë bilancit, kredia për sektorin privat u rrit me 4.9% dhe 4.5%, përkatësisht gjatë tremujorit të tretë dhe dy muajve të parë të tremujorit të katërt. Gjithashtu, normat e ulëta të interesit kanë ndihmuar ristrukturimin e kredive, duke lehtësuar kostot e shërbimit të borxhit dhe duke përmirësuar stabilitetin e sistemit financiar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 12.7% në muajin nëntor, duke ilustruar përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të sektorit bankar. Së fundi, ndërhyrja e përkohshme në tregjet valutore ka reduktuar zhbalancimet e ofertës dhe kërkesës për valutë, duke qetësuar funksionimin e tregut valutor dhe duke reduktuar shmangiet e kursit nga nivelet e sugjeruara nga faktorët fondamentalë.

Rritja e kreditimit, lehtësimi i barrës financiare të kredimarrësve dhe reduktimi i luhatjeve të kursit të këmbimit, kanë inkurajuar konsumin, investimet, rritjen ekonomike dhe rritjen e punësimit, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv, në horizontin kohor afatmesëm.

Inflacioni shënoi vlerën 1.8% në muajin nëntor, duke u reduktuar kundrejt nivelit të regjistruar në tremujorin e tretë dhe muajin tetor. Në përputhje dhe me pritjet tona të mëparshme, ky reduktim pasqyron efektin rënës që sjell forcimi i kursit të këmbimit mbi inflacionin e importuar. Analizat tona sugjerojnë se ky efekt pritet të jetë kalimtar dhe nuk do të cënojë përmbushjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm.

Përditësimi i parashikimeve sipas skenarit bazë konfirmoi pritjet tona të mëparshme mbi kthimin e ekonomisë në ekuilibër në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, dhe kthimin e inflacionit në objektiv në vitin 2020. Kjo ecuri pritet të mbështetet nga ecuria pozitive e Eurozonës dhe partnerëve tanë të tjerë tregtarë e financiarë, nga ambienti stimulues monetar dhe financiar në vend, si dhe nga qetësimi i presioneve forcuese mbi kursin e këmbimit.

Paralelisht me të, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e rreziqeve vijon të mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Këto rreziqe lidhen si me goditje të mundshme që mund të vijnë nga ambienti i huaj, ashtu dhe me shpejtësinë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe të kreditimit në vend.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 1.9%.
Ruajtja e kahut dhe intensitetit të stimulit monetar nxit rritjen e kërkesës agregate, duke ndihmuar rritjen e punësimit, të pagave, dhe të presioneve të brendshme inflacioniste.

Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e normës bazë të interesit nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë ecurinë e kursit të këmbimit dhe mbetet e gatshme të përdorë instrumentet që disponon për të shmangur forcimin e kursit të këmbimit në nivele që rrezikojnë përmbushjen e objektivit të inflacionit.

 

Login to post comments