Gjyqtarët e prokurorët që kaluan vettingun janë të paaftë

E mërkurë, 26 December 2018 11:05

Nga studimi i ‘CSDG’ konstatohet se rreth 35 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kaluan vettingun dhe konkurruan për në KLGJ dhe KLP janë vlerësuar me ‘aftësi profesionale minimale’. Çfarë pasojash mund të sjellë në ngritjen e SPAK dhe BKH. Absurdi i strukturave shtetërore, lënë pa vula e zyrë KLP-në…

Nga Sebi Alla

Treshja e KPK-së (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit),  në momentin e marrjes së vendimit kur artikulonte frazën: ‘Konfirmohet në detyrë’, më së pari sillte çlirimin e gëzim njëhershëm për prokurorin apo gjyqtarin që do përshkonte ‘gijotinën vetting’, por hijet e vërteta të kalimit me sukses fshiheshin në fund, kur vendimet arsyetoheshin.

Tri kushtet e rivlerësimit lidhen me aftësitë profesionale, kriterin e pasurisë dhe integritetin. Rreth 35 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kaluan testin e vettingut dhe më pas u bënë pjesë e konkurrimit për në dy institucionet e rëndësishme Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor janë vlerësuar me: ‘aftësi profesionale minimale’.

Kjo problematikë është ngritur edhe në studimin e fundit të publikuar nga ‘CSDG’, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Për nga vetë mënyra si është parashikuar ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP janë dy shtyllat kryesore të gjithë sistemit, pasi prej tyre ‘degëzohen’ SPAK dhe BKH, Gjykata dhe Prokuroria Speciale antikorrupsion, që do hetojnë dhe gjykojnë zyrtarët e lartë të vendit.

Nëse kriteri i pasurisë dhe integriteti është kaluar me sukses, pikëpyetjet ngrihen mbi aftësitë profesionale të subjekteve që kaluan vettingun, që mund të sjellin probleme të mëtejshme që në nisje të sistemit të ri të drejtësisë.

Studimi, 35% e subjekteve kaluan me aftësi minimale…

Ligji dhe aktet e tjera nënligjore e përcaktonin qartë se KPK duhej të verifikonte në tri drejtime subjektet e saj gjyqtarë e prokurorë, ku një nga pikat ishte ‘aftësia profesionale’, por duket se ky kriter është konsideruar pa rëndësi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

‘Kandidatët, të cilët kanë marrë tashmë konfirmimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të qenë anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) pritet të luajnë një rol tepër të rëndësishëm për shkak të kompetencave që do të kenë kundrejt gjyqësorit apo prokurorisë, si edhe emërimeve në Gjykatat e Posaçme dhe Prokurorinë e Posaçme.

Për këtë arsye, kriteret profesionale të kandidatëve janë mjaft të rëndësishme për përzgjedhjen e tyre’. Kështu konstatojnë ekspertët e qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes. Në gjetjet e studimit konfirmohet se gjatë përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtarë dhe joprokurorë, mosplotësimi i kritereve profesionale ka sjellë rishpalljen e thirrjeve për aplikime deri në 6 herë, dhe si pasojë shtyrje të afateve kohore dhe vonesa në ngritjen e KLGJ dhe KLP.

‘Pavarësisht standardeve fillestare për aplikim, të vendosura në dispozitat ligjore për anëtarët gjyqtarë dhe prokurorë, ligji për rivlerësimin lejon konfirmimin në detyrë të subjekteve edhe me një vlerësim minimal të aftësive profesionale, krahasuar me dy kriteret e tjera të pasurisë dhe figurës’-konstatohet nga ekspertët.

Por pikërisht kjo klauzolë mund të jetë një ‘notë kaluese me hatër’ për gjyqtarët dhe prokurorët që u konfirmuan në detyrë, por shpejt këta personazhe do të vihen para vendimeve të mëdha, që më së paku kërkon edhe aftësi profesionale.

‘Aktualisht, bazuar në vendimet e publikuara, 35% e subjekteve gjyqtarë dhe prokurorë kandidatë për KLGJ dhe KLP, të cilët tashmë janë konfirmuar në detyrë, janë vlerësuar me ‘nivelin minimal kualifikues’ për sa i përket kriterit të aftësive profesionale.

Ndërkohë që për anëtarët e Gjykatave të Posaçme dhe Strukturës së Posaçme Antikorrupsion SPAK, profesionalizmi konsiderohet ndër elementet thelbësore për emërimin e tyre, kjo tendencë në lidhje me profesionalizmin e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së përbën një ndër pikat e dobëta të cilësisë së procesit’, -konstaton ‘CSDG’.

 Duket se nxitimi për të ‘plotësuar listën’ e nevojshme me gjyqtarë dhe prokurorë që kishin aplikuar për një vend në KLGJ dhe KLP ka sjellë problematikë thelbësore në vendimet e KPK-së. Kjo vihet re pikërisht në kalimin përciptas të kriterit të aftësive profesionale, duke u përqendruar thellësisht në dy kriteret e tjera, pasurinë dhe integritetin.

Nuk është rastësi që 100%  i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nuk kaluan testin e justifikimit të pasurisë, ndërsa 5 % e të larguarve nga sistemi i drejtësisë, krahas mosjustifikimit të pasurisë, kishin problem edhe me integritetin, (dyshohen për lidhje të papërshtatshme me elemente të botës së krimit).

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të arritur në konkluzionet për vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve e shtrinte punën e saj në dy drejtime; raportin e Prokurorisë së Përgjithshme apo gjykatave përkatëse që sillnin vlerësimet; dhe verifikimi i dosjeve konkrete, sidomos arsyetimet e vendimeve nga ana e subjekteve.

Në thuajse të gjitha rastet prokuroria dhe gjykatat sillnin vlerësimin rutinë: ‘shumë mirë’, por analiza e mëtejshme tregonte problematikën e vërtetë. Ka patur gjyqtarë dhe prokurorë të cilët ishin në nivele skandaloze në arsyetimin e vendimeve, ngatërresa ligjore, jashtë objektit të gjykimit apo hetimit, e megjithatë 35 % e tyre e kaluan vettingun.

Nuk ka një vulë për KLP-në…

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk po funksionon për vendimmarrje për mungesë konstituimi dhe infrastrukture. Mësohet se KLP ka mungesë të infrastrukturës, mungesë të stafit mbështetës dhe ende nuk ka ambiente pune, të cilat janë ende duke u përgatitur.

Nga dita e sotme pritet që anëtarët e zgjedhur të KLP-së dhe ai staf i vogël mbështetës do të zhvendosen në katin e fundit të Ministrisë së Drejtësisë, në ambientet e ish-Avokaturës së Shtetit. Çuditë nuk kanë të sosur, kur mësohet se institucioni nuk ka ende një vulë të sajën apo edhe një faqe internet, e cila do të përdoret për njoftimet apo thirrjet që do të bëhen për kandidaturat për Prokurorin e Përgjithshëm apo edhe për kandidatët e SPAK.

Këto mangësi nuk mund të plotësohen para 1 Janarit kur priten të lëvrohen fondet nga buxheti. Gjatë kësaj periudhe anëtarët e KLP kanë përdorur për mbledhje zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, teksa hartuan edhe kërkesat që do t’i drejtohen kuvendit për staf dhe bazën tjetër mbështetëse.

Absurditete po ndodhin me KLP, institucion i rëndësishëm që kanë atributet për të paraqitur kandidaturat për Prokurorin e Përgjithshëm me afat 7-vjeçar. Këshilli i Prokurorisë ka rol vendimtar në përzgjedhjen e 3 kandidaturave, të cilat i rendit në bazë të kritereve duke ia çuar për votim parlamentit.

Nëse kuvendi nuk e zgjedh dot me tre të pestat brenda 30 ditëve atëherë kandidatura që është renditur e para nga këshilli quhet i emëruar. Kriteret duhet të jenë; të ketë kaluar vettingun, të jenë diplomuar në shkollën e magjistraturës ose të kenë doktoraturë si dhe të kenë 15 punë në sistemin e drejtësisë.

Ngritja e KLGJ-së e KLP-së u prit me entuziazëm edhe nga ndërkombëtarët, por institucionet shtetërore po e tregojnë se seriozitetin e kanë në nivele edhe qesharake, duke lënë pa vulë e zyrë njerëzit e drejtësisë së re…

Botua në gazetën Mapo

Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...