Përforcohet Teuta, firmos një mbrojtës, gati një sulmues

E Enjte, 27 December 2018 17:29

Erlis Frashëri është zyrtarisht futbollisti më i ri i Teutës.

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e bregdetarëve dhe nga janari do të vihet në dispozicion të trajnerit Blendi Shkëmbi. 30 vjeçari do të zëvendësojë në këtë pozicion Bojan Gjorgievski, i cili u largua me mbylljen e fazës së dytë. Maqedonasit i përfundoi kontrata dhe palën nuk vendosën të zgjasnin bashkëpunimin.

Me kalimin te Teuta, Frashëri ka bërë një hap përpara në karrierën e tij, pasi nga mbijetesa tanimë lufton për një vend në Kupat e Evropës. Por bregdetarët nuk do të ndalen me kaq. Objektivi i Shkëmbit është sulmuesi i Luftëtarit, Vasil Shkurtaj. 26 vjeçari i cili ka bërë dy faza mjaft të mira me bluzinjtë është pranë largimit nga Gjirokastra.

Kukësi është pole position për të nënshkruar me Shkurtajn, por së fundmi garës i është bashkuar edhe Teuta. Bregdetarët janë të gatshëm të përmbyshin kërkesat financiare të lojtarit, por edhe të drejtuesve të Luftëtarit. Burime pranë klubit të Teutës pohojnë se janë të gatshëm të ofrojnë rreth 70 mijë euro deri në fund të sezonit dhe të njëjtën shumë Luftëtarit për kartonin e tij.

Në këtë sezon ai ka shënuar 7 gola në 18 ndeshje, ndërsa është një titullar i padiskutueshëm. Për shërbimet e tij interesohej edhe Partizani, por mbetet të shihet se kush do të fitojë garën për Shkurtaj. Nëse Teuta do të firmoste me Shkurtaj do të kishte sulmin më të frikshëm në Superiore.

Latif kryeson klasifikimin e golashënuesve me 9 rrjeta dhe pas tij vijnë Bregu me 8 dhe Shkurtaj e Reginaldo me 7 gola.

Login to post comments