Kreditimi i ekonomisë u përmirësuar gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë preku vlerën afro 535 miliardë lekëve ose rreth 4.35 miliardë euro. Gjatë muajit nëntor, portofoli i kredisë u rrit me pak më shumë se dy miliardë lekë, megjithatë ngelet ende në rënie me bazë vjetore. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, portofoli i kredisë për ekonominë është tkurrur me rreth 20 miliardë lekë. Në këtë rënie ka sigurisht efekt edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron, si edhe pastrimi i portofoleve nga kreditë e humbura, megjithëse ndikimi i këtij komponenti këtë vit është më modest.
Gjatë nëntorit, kredia u rrit në segmentet kryesorë të tregut, përfshi kompanitë publike, ato private dhe individët. Muajt e fundit të vitit sjellin edhe një efekt pozitiv sezonal mbi kreditimin. Megjithatë, për momentin vetëm segmenti i individëve duket të ketë një rritje vjetore të qëndrueshme dhe të shëndetshme. Kreditimi i biznesit është më i brishtë dhe më i luhatshëm.
Në takimin e fundvitit me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Guvernatori Gent Sejko tha se rritja e qëndrueshme ekonomike e vendit nuk është e mundur pa rigjallërimin e kredisë bankare. Ai iu kujtoi bankave se ato ruajnë kursimet e shqiptarëve dhe kanë për detyrë që t’i vendosin ato në dispozicion të rritjes dhe të zhvillimit të vendit.
Guvernatori kërkoi nga bankat propozime konkrete për masa që do të mund të kontribuojnë në rritjen e kreditimit dhe shtoi se Banka e Shqipërisë do të jetë gjithmonë mbështetëse e këtyre nismave. Vrojtimet e kryera nga banka qendrore tregojnë se bankat vazhdojnë të jenë konservatore në kredidhënie, sidomos kur bëhet fjalë për ekspozime të mëdha.