Antishpifja, qeveria synon kontrollin e lajmeve

Tuesday, 01 Janar 2019 22:05

Pas dy muajve që kryeministri Rama propozoi idenën për një paketë antishpifje për të gjitha operatorët mediatik që publikojnë lajme të pavërteta, qeveria publikoi draftin për ndryshimet ligjore në ligjin e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të AKEP-it.

Këto ndryshime sipas grupit negociator janë në përputhje me direktivat e BE-së dhe bazohen në ligjin kroat. Drafti i propozuar nga qeveria,  parashikon gjobë për portalet dhe televizionet të cilat publikojnë lajme të rreme dhe nuk marrin në konsideratë ankesat e qytetarëve.

Në këtë draft është vendosur që portalet të gjobiten me 100 mijë deri në 1 milion lekë.

E njëjta procedurë është edhe me televizionet, por me një masë më të reduktuar të gjobës, jo më shumë se 400 mijë lekë.

 Kjo thuhet në nenin 133 të pikës a, ku nënvizohet se gjobitet nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji që detyron sigurimin e publikimeve të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive.

Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.

Drafti antishpifje parashikon që për çdo ankesë të qytetarëve, e cila nuk reflektohet nga portali, mund t’i drejtohen Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive.

“Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj. Në çdo rast Këshilli i Ankesave njofton me shkrim personin që ka paraqitur ankesën dhe OSHE-në përkatëse mbi konkluzionet dhe masat”, thuhet në nenin 33 pika 7 të ligjit për mediat audiovizive, i ndryshuar.

Por jo vetëm kaq, është rregulluar me ligj që nëse një portal merr nga Autoriteti i Medias Audiovizive 5 masa administrative, atëherë AKEP pezullon deri në 1 vit me internet median në fjalë.

Nëse një media publikon më shumë se katër herë informacion të rremë për 1 vit kalendarik, ai pezullohet për 1 javë.

Nëse këto shkelje përsëriten më shumë se 5 herë, atëherë aktiviteti i medias online pezullohet për 1 vit.

Dhe bllokim përfundimtar të aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik.

Fushata e kryeministrit Rama për paketën antishpifje u nis nga rrjetet sociale. Ne llogaritë sociale të kreut të qeverisë numërohen shumë statuse që parlajmëruan një paketë e cila do të dënojë shpifjen, por jo duke ndërhyrë në Kodin Penal, por që paratë e mbedhura do të shkonin në  Fondin e Edukimit.

Rama: Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje. Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë. Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq! Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Të shumta ishin statuset e kryeministrit Rama në rrjetet Sociale pas çdo deklarate nga opozita kundrejt eksponentëve të mazhorancës.

Sonila Meço: Ky rregullim që tenton të bëjë qeveria për të sistemuar "të vërtetën" e vet absolute ngre shumë dyshime për qëllimin e vërtetë. Aq më tepër që vendet e BE dhe Ballkanit kanë një proces vetërreguellues dhe jo të rregulluar nga instancat shtetërore.

Milva Ekonomi: Shnumë e rëndësishme për këtë paketë është dhe burimi i informacionit nga bëhet lajmi. Disa herë nuk ka fare burime informacioni.Është shumë e rëndësishme që të vendoset një rregull sa i takon regjistrimit të portaleve në Shqipëri. Kemi rreth 700 portale dhe vetëm 90 prej tyre kanë informacion kush është burimi i krijimit, kush i administron, kush gazetar punon në to. Të tjerat janë pa informacion fare, nuk dihet pse janë krijuar.

Por në fillimet e saj përfaqësuesit e mediave menduan që këto deklarata të Kryeministrit ishin vetëm një retorikë e tij dhe se nuk do kishte asgjë në të shkruar.

Por ndryshe nga opinioni i tyre, përfaqësuesit e medias mbeten para faktit të shkruar, që për disa prej tyre është antikushtetues.

Gjergj Erebara: Të dy ligjet nuk kanë referencë konkrete se ku bazohen, nuk kanë shembull konkret nga bota që të ketë rregulla të tilla. Dy ndryshimet prekin rëndë lirinë e shprehjes. Së pari bëjnë një regjistër mediash që është shkelje dhe e dyta bëjnë një polic lajmesh. Këshilli i Etikës merr përsipër të gjykojë cilësinë e lajmeve, paanshmërinë e lajmeve.

Mentor Kikia: Pse duhet një paketë e re antishpifje kur ligji e parashikon dhe kur askush dhe asgjë nuk i ka penguar politikanët e mazhorancës, mes të cilëve dhe vetë Kryeministrin, të kërkojë ndihmën e ligjit për tu mbrojtur nga shpifjet.

Grupi nismëtar i këshillit të Ministrave ka treguar që modeli për bërjen e këtij ligji është marrë nga Kroacia, duke respektuar direktivat e Bashkimit Europian.

Këshilli i Ankesave, pjesë e AMA-s do të vendosë nëse një lajm është i vërtetë apo jo.

Milva Ekonomi: Nuk do anashkalohen gjykatat. Sa herë që ka një konflikt midis atij që prodhon dhe atij që preket nga prodhimi, gjykatat do të kenë përsëri rolin e tyre. Këshilli i Ankesave do të marrë disa role të tjera që të operojë më shpejt në rastin kur kemi të bëjmë me një sulm mediatik për një gjë që është komplet dizinformuese.Ka për të parë me shumë kujdes edhe masën e penaliteteve. Nuk merret as me kodin civil, as penal.Ka për ti dhënë disa detyra më të detajuara AMA-s, që është struktura që monitoron mediat audiovizive në Shqipëri. Ka për të parë me shumë kujdes edhe masën e paneliteteve që operohen sot në Republikën e Shqipërisë. Shpifësit duhet të marrin dhe një përgjegjësi financiare kur mendojnë se do të krijojnë një lajm  të këtij lloji.Ndodhin ndryshime që kanë të bëjnë me respektimin e lirisë së medias, por edhe respektimin e qytetarëve dhe lirinë e tyre. Ekuilibri në këtë paketë është shumë i rëndësishëm.

Luçiano Boçi: Është një kopje e shëmtuar e ligjit 2015 që synonte të ndryshonte ligjin për tregtinë elektronike, duke u vënë barriera dhe pengesa portaleve. Shqetësimi kryesor i Ramës janë mediat online, sepse aty artikulohen shumë të vërteta, jepen opinione. Është një pjesë e medias interaktive që kryeministri nuk e kontrollon dot. Është bërë kapërcimi, është ajo dera e dhelprës që shpesh e përdor kryeministri. Sikurse e ka shoqëruar dhe me një ndryshim të vogël në ligjin për AKEP. E çuditshme është që Autoriteti që do marrë masën administrative apo penale do të jetë Këshilli i Ankesave, ndërkohë që ky Këshill ka tjetër format. Nuk mund të jetë organ penalizues për mediat online.

Sonila Meço: Këshilli i Ankesave që do të ngrihet, ku do të jetë një Bord që do jetë i paanshëm. Sesi funksionojnë Bordet e paanshme në Shqipëri e kemi shumë të afërt përvojën me Bordet e Administrit të Universiteteve. Brenda tyre ishin edhe përfaqësues të qeverisë ose njerëz të lidhur me pushtetin. Në një shoqëri kur kriza e besimit është në pikën e saj më të ulët edhe vetë Autoriteti që do të duhet të ndjekë zbatimin e ligjit në fjalë është krejtësisht i dyshueshëm.

Afrim Krasniqi: AMA ka qenë shtojcë e politikës dhe si e tillë nuk ka autoritetin për ta bërë këtë gjë.Nuk ka as burimet njerëzore dhe financiare.Kjo kërkon një ekspertizë të madhe profesionale, sidomos juristë, dhe kërkon një përvojë ndërkombëtare, dy elementë që AMA nuk i ka. Edhe përgjegjësitë që ka AMA nuk ka arritur ti përmbushë.

Shpifja dënohet me ligj nga Kodi Civil dhe  konkretisht sipas Nenit 120 përbën kundërvajtje penale dhe përcaktohet gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në tre milionë lekë.

Gazetarët dhe ekspertët e komunikimit e shohin të paqartë situatën, pasi sipas tyre përveç gjykatës askush nuk mund të vendosë sanksione të tjera.

Kjo nismë e qeverisë ka është kritikuar nga grupet e interesit, duke e konsideruar këtë në kundërshtim me lirinë e medias dhe shprehjes.

Edhe më parë kryeministri Rama ka kërkuar të ndërhyjë në veprimtarinë e medias, që me futjen e kasetave me lajme të gatshme në kohën kur ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë, por dhe me vendosjen e etiketimeve si termi “kazan”.

Por a është kjo sjellje një cënim i lirisë së medias?

Luçiano Boçi: Është goditje shumë e madhe ndaj lirisë së medias, ligji është antikushtetues, ndryshimet janë antikushtetuese sepse prekin thelbin e demokracisë së lirisë së opinioneve dhe të fjalës.

Mentor Kikia: Ajo që Kryeministri mendon të rregullojë mua më duket më shumë një lloj presioni psikologjik tashmë i shndërruar në një lloj çekani, akti që i tundet qytetarëve, medias, opozitës e cila është dhe aktori kryesor i ngritjes së akuzave kundër mazhorancës, për të ushtruar këtë presion në mënyrë që të disiplinojë atë që kryeministri e quan kazanin mediatik dhe politik.

Propozimi i qeverisë për miratimin e një ligji antishpifje shihet me rezerva prej profestionistëve të mediave.

Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe kreu i Këshillit Shqiptar të Medias mendojnë se ky propozim i qeverisë nuk zgjidh problemet e medias.

Madje për ta me këtë nismë rritet pushteti i ekzekutivit mbi to.

Mark Marku: Për të intimiduar dhe penguar publikimin e aferave të kësaj natyre. Normalisht që kjo është në dëm të lirisë së mediave.

Koloreto Cukali: Unë mendoj se nuk i zgjidh problemet e medias, mendoj se është për të mbyllur gojën e mediave në raste të caktuara. Kjo bëhet për ti dhënë më shumë pushtet Kryeministrit.

Pas vizitës në Vienë ku zhvilloi një takim me përfaqësuesin e OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir,  kryeministri Edi Rama lajmëroi se për paketën antishpifje Shqipëria do të punojë edhe me OSBE, duke trumbetuar kështu edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Por vetë kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borschard, i ka kërkuar qeverisë që të bëjë kujdes, pasi nëse nuk ndiqen praktikat ndërkombëtare ky ligj mund të cënojë lirinë e fjalës.

Por ndryshe nga kryeministri Rama, ekspertët e medias shprehen të bindur se ndërkombëtarët nuk do ta mbështesin këtë nismë të qeverisë, pasi sipas tyre është një draft pa referenca dhe sipas tyre nuk ka të dhëna që këto ndryshime bazohen në ligjin kroat.

Por analistët qëndrimin e ndërkombëtarëve e shohin me skepticizëm, pasi ndryshe nga selitë qëndrore, Ambasadorët e akredituar në Tiranë ndajnë qendrime të dyzuar.

Drafti për ndryshimet ligjore, pjesë e paketës antishpifje, tashmë po shqyrtohet nga autoritetet e Brukselit. Në kohën kur grupi negociator i qeverisë po zhvillon takime konsultative me grupet e interesit në kryeqytet, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka kërkuar opinion nga zyrtarët e BE-së. 

Në një komunikim me Delegacionin, Ora News ka mësuar se përgjigja nga Brukseli pritet të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar gjata janarit, pas rikthimit nga festat e fundvitit.

Opozita parlamentare e sheh paketën antishpifje si një mënyrë që kryeministri Rama të kotrollojë median online, pavarësisht që siç thonë gazetarët, në paktikë është e vëshirë ta kontrollosh internetin.

Pavarësisht debateve mes qeverisë dhe grupeve të interesit, në janar drafti do të mbërrijë në Kuvend për tu diskutuar në komisionet parlamentare.

Opozita është shprehur kundër draftit, por mazhoranca edhe e vetme i ka votat për ta kaluar ligjin e ndryshuar. Shqipëria nuk është i vetmi vend që kërkon një ligj të posaçëm për lajmet e rremë.

Një muaj më parë Franca miratoi në Parlament ndalimin e lajmeve të rreme në media, ku të gjithë ata që shkelin ligjin do të përballen me nje gjobë prej 75 mijë euro ose një vit burg.

Modifikuar më Tuesday, 01 Janar 2019 22:12
Login to post comments

Lajmet e fundit

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...