Tragjeditë e Griseldës; vajza u detyrua të fejohej kur ishte 14 vjeç me një burrë 27 vjet më të madh

E mërkurë, 02 Janar 2019 16:56

Vrasja e 17-vjeçares Griselda Gjikolaj në Tiranë, mbrëmjen e së mërkurës, më 26 dhjetor, nuk ishte e para që trondiste vendin, por ashtu si të tjerat, as ajo nuk ishte e rastësishme.

Historia e Griseldës, që ndonëse në moshë të mitur kishte kaluar shumë peripeci, aq sa ishte detyruar të jetonte vetëm në kryeqytet, larg familjes së saj, duket se bën përgjegjës për ngjarjen edhe vetë familjen e saj. Kur ishte vetëm 14 vjeç, atë e fejuan pa dëshirë me një burrë 27 vjet më të madh, që e përdhunoi dhe i përmbysi të gjitha ëndrrat, aq sa ajo tentoi vetëvrasjen.

Edhe pse e vogël, ajo u tregua e fortë për të lënë pas krahëve këtë histori dhe e detyruar nga opinioni, nga kërcënimet, nuk u kthye më në fshatin Kurbnesh të Mirditës, ku opinioni e kryqëzoi, duke e quajtur jo të denjë pse i kishte ikur burrit nga shtëpia. Pa përkrahjen e askujt, ajo vendosi të vazhdonte shkollën në Tiranë.

E vetme, me përkrahjen modeste të vëllait të saj 15 vjeç, Griselda, që trauma e së shkuarës ia bënte të nevojshme ndoshta edhe bisedat me një psikologe, u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar mbrëmjen e së mërkurës. Ajo mbeti e vrarë me plumb në kokë nga një 19-vjeçar, i cili ishte refuzuar në vazhdimësi dhe sot, disa ditë pas ngjarjes, ende nuk është arrestuar.

HISTORIA E GRISELDES

Gazeta “Panorama”, në numrin e datës 16 prill të vitit 2016, ka botuar një pjesë të rrëfimit të Griselda Gjikolës, e cila kishte denoncuar përdhunimin e bashkëjetuesit, i cili u arrestua nga Policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Durrësit. Griselda, që në atë kohë nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç, pak ditë pas fejesës pa dëshirën e saj me 41-vjeçarin M.H., me precedentë penalë dhe i sapoliruar nga burgu, denonconte përdhunimin dhe tmerrin e përjetuar në banesën e tij. Atëherë, ajo ishte nxënëse në klasën e nëntë në qytetin e Lezhës. Vajza tregonte se ishte fejuar pa dëshirën e saj në fund të muajit mars të atij viti dhe pas disa ditësh, i fejuari i saj, M.H., kishte kërkuar ta merrte “nusen” e re për të qëndruar disa ditë në banesën e tij. Ish-i fejuari i saj, me origjinë nga një fshat i Mirditës, mësohet se jetonte bashkë me prindërit e tij në një banesë në zonën e plazhit në Durrës. Pasi ka qëndruar për një javë në shtëpinë e të fejuarit, Griselda i është drejtuar Policisë së Lezhës për ta denoncuar atë për përdhunim.

RREFIMI NE POLICI

Në 2016, teksa i ishte drejtuar Policisë për të kallëzuar të fejuarin, Griselda Gjikola ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, në të cilën ishte përfshirë pa dëshirën e saj. Ndër të tjera, minorenia mësohet të jetë rrëfyer për 7 ditët e tmerrit që kishte përjetuar në shtëpinë e të fejuarit të saj, 27 vjet më të madh. “M.H. erdhi e kërkoi dorën time në shtëpi. Prindërit, pa marrë fare parasysh faktin se ishte 27 vjet më i madh, pranuan të më fejonin. Unë nuk doja, se isha në shkollë ende dhe ai shumë i madh për mua, por familja më detyroi të fejohesha me të.

Edhe pse këmbëngula për shumë kohë se nuk dëshiroja të lidhesha me atë person, familja insistoi shumë dhe më detyroi të pranoja fejesën me M.. Në fund të marsit, ne u fejuam dhe pas pak ditësh ai erdhi dhe më mori që të rrija ca ditë në shtëpinë e tij në Durrës, ku jetonte me familjen. Këtu nisi gjithçka. Qëndrova për një javë aty dhe i fejuari më detyronte të kryeja marrëdhënie seksuale pa dëshirë. Ai më përdhunonte çdo natë dhe më kërcënonte se do më vriste nëse do të largohesha prej tij. Kur u ktheva në shtëpi, u tregova prindërve se çfarë më kishte ndodhur dhe iu betova se nuk doja të vazhdoja lidhjen me M.”, kishte treguar Griselda në Polici, në prill të vitit 2016.

Më tej, ajo kishte deklaruar se ishte përdhunuar dhe kërcënuar nga i fejuari i saj, i cili nuk pranonte faktin se ajo nuk e donte si bashkëshortin e saj të ardhshëm. Ajo ka pohuar se, përveçse e përdhunoi për disa ditë intensivisht në shtëpinë e tij, M.H. e kërcënonte me jetë kur i kishte thënë se do prishte fejesën. “Pasi u ktheva në shtëpinë time, u thashë prindërve se nuk do të vazhdoja më me të dhe i thashë edhe M. se do ta prishja fejesën. Ai u irritua jashtë mase dhe këmbëngulte se do të më vriste nëse largohesha prej tij. Unë e kisha vendosur se nuk do të kthehesha më e gjallë tek ai njeri. Ai më merr në telefon dhe më kërcënon. Kërkoj ndihmë nga Policia, pasi ndihem e kërcënuar”, kishte deklaruar në atë kohë Griselda.

*Marrë nga Panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...