Në thelb..., gjithkush është një filozof?!

E Enjte, 03 Janar 2019 17:24

Nga Fatmir Terziu

Shpeshherë ndeshemi me mendimin. Më së shumti me mendimin e “Tjetrit”. “Tjetrit”, që vetëm fjalën e shkruar ia kemi pranë. Tjetrin, që ne e njohim nga fjala. Fjala që na e bën të “pashëm”, viziv para syve tanë, pikërisht atë që ne nuk e kemi njohur kurë fizikisht. 
Pra, atë tjetrin! 
Tjetrin që e mendojmë ndryshe pasi e lexojmë. E lexojmë disi ‘leximin’ tek mendimi e shkrimi i tij. Leximin e fjalës së tij, që na ndryshon këndvështrimin. Këndvështrimin që e pikasim, ose e humbasim me shenjën tonë të krijuar nga mendimi ynë. Mendimi ynë që mbetet klasik në mendje-unazën e pjesë-jetës tonë. Kështu në këtë unazë klasike krijojmë dhe shterojmë ndjesinë e hapësirën humane. 
Hapësirën ku Fjala e Lirë e “Tjetrit” dhe e jona, natyrishrt, na bën me dije. Dije, që ne i harrojmë, teksa vetëharojmë vetë hapësirën. 
Hapësirën që na afron dhe na largon me “Tjetrin”.

Kompleksi i “Tjetrit”

Dhe “Tjetri” na dikton... Përgjon qenësinë tonë mes fjalës. Hulumton praninë dhe zbrazëtinë e kësaj fjale, ashtu me shijen e “Tjetrit”. “Tjetri” si një ombrellë për mikun, kundërshtarin, të panjohurin, profesionistin, artistin, e gjithëmodelin e jetërrëfimit gatuan me shijen e “Tjetrit”. 
Ne sërrish mbesim mes tjetrit dhe shijeve të tjetrit. Kjo padashje? Kjo për hir të Fjalës së Lirë? Ndoshta thjesht për hir të tjetrit…
Tjetri ka oreksin, shijen, vullnetin, largpamësinë, idenë, mendimin, modën, stilin, talentin, fjalën, apo edhe mjaft të tjera veçori, që quhen pronë e tij. 
Ai është vetja dhe kur nuk pretendon të jetë “Tjetri”. Atëherë pse për hir të gjithë kësaj barbarie fjalësh që vjen nga “Tjetri” duhet rënë në batakun e ardhur për hir të “Tjetrit”? 
Thjesht kjo është filozofi. Filozofi që ndeshet pikërisht tek lidhja jonë me “Tjetrin.

Filozofia e “Tjetrit”

Filozofia është një aspekt i rëndësishëm i jetës sonë. Kjo është motoja që vjen nga vetë filozofia që ne të na jepet ‘kusuri’ që vjen nga “Tjetri”, që të na kthehet e gjitha nën simbolikën e “Tjetrit”. 
Më saktë: kur të ketë nevojë për të kërkuar një parim udhëzues për jetën tonë. Prandaj, ne vetë e gjejmë vendin mes tjetrit. Mes nesh dhe tjetrit, ka një filozofi të shquar në shërbim të shoqërisë, që gjeografizohet në vend dhe në botë. 
Në thelb, gjithkush është një filozof!?
I vetmi ndryshim në këtë mes është se kush kupton më së miri pozitën e tij në mesin e “Tjetrit” aspekti i të qenit filozof mbetet disi tek popullorja: “Kush leu e veten s’e pëlqeu”.
Pra, ai merr tipare krijuese dhe gjeniale përpos edhe arsyetimi i tij i vetëdiktohet mendimtarëve të shkëlqyer, për të sjellë në botë aspekte shpartalluese, inatçore e cinike ndaj koncepteve. Megjithatë, njeriu gjithashtu përpëlitet dhe gjen hapësirë në jetën dhe mendimin e përbashkët, duke heshtur rreth jetës së tij dhe duke lënë disi në hije ekzistencën e tij unike. 
Ne mundohemi në cipën e kësaj të përpiqemi të gjejmë kuptimin e jetës së tij. Me kalimin e kohës, një jetë e tillë, një kushtim apo një temë, neve na duket se është zhvilluar për të dalluar idetë që mund të pranojnë lehtësisht mendimin e tij, apo edhe mendimin tonë jashtë “tjetrit”. 
Është interesante, se si më parë kjo filozofi ishte e ndarë mes këtyre fjalëve. Dhe në hapësirë mbetet prapë që të përqafojë të gjitha idetë dhe fjalët që shfaqen e kundërshtohen mbi një temë të përbashkët të jetës. Kjo temë është aq e gjerë, sa po të përfshijmë të gjithë gamën e ideve dhe besimeve ndërtojmë një të ardhme të gjerë plot iluzione. 
Kur një person gjen një person tjetër që ndan të njëjtën ide, pastaj ai me të në të gjithë hapësirën dhe zbrazëtinë e ideve gjen dhe bën “ngushëllim” mendimesh dhe idesh. Megjithatë, kur një grup mban të njëjtën ide, dhe kur ndryshon mendimi i “tjetrit”, pra atëherë mund të shpërthejnë ‘debate’, ku dhe debatet mbesin filozofi, edhe pse mund të kualifikohen si dilema.

Dilema e “Tjetrit”

Një ide e tillë shpesh herë nuk është shumë e qartë, ajo shpesh mbetet dilemë e “Tjetrit”. Ndërsa kjo ka lidhje me njohurinë direkt, pjesa e “Tjetrit” është veçse një aspekt shtytës dhe për inerci të botës që na rrethon. Kjo bëhet për të na dhënë një arsye të shëndoshë se nuk është thjesht pjesë e psikologjisë. apo thjesht një teori e duhur, kur ende mbetet tek ideja dhe mendimi personal. 
Megjithatë, e rëndësishme, që lidhja me njohurinë direkt, të jetë e shëndoshë nuk ndikon apo dikton ndonjë psikologji sa të “përmbushet ky kriter”. Nëse do të braktiset me një sens të përbashkët fjala “psikologji” pa u diktuar fare, dhe të tirret me fuqinë e fjalëve teorikisht me atë model që mbetet i qëllimshëm për të purizuar të gjitha nocionet e psikologjisë së shëndoshë, do të duhej të rikushtëzohej, pra të parashtrohej se çfarë do të shpjegohet më tej me “Tjetrin”, me të cilin nuk do të jenë të ndikuara veprimet e njeriut, por (e)mocionet (perceptimet) trupore. 
Janë pikërisht këto mocione trupore, që ndikohen dhe diktohen në sjelljen tonë. Janë pikërisht këto mocione që na sillen si kusht për të privuar tjetrin. Thjesht se jemi ende në dilemën e gjatë të bashkëjetesës me “Tjetrin”. 
Nga njerëzorja kemi të drejtë. Nga filozofia dhe praktika duhet të ndryshojmë. Ndryshimi është ecje përpara. Është zhvillim nga pavarësimi, nga ikja dhe pritja prej “Tjetrit”.

 
Login to post comments