Mbi vëllimin poetik dyvariantesh gjuhësore të Drita Ademit, me titull “Andrra e gjethe”

E Enjte, 03 Janar 2019 17:32

Për mbas botimeve bilingue, kryesisht në poezi, është e para herë që më bie në dorë një vëllim poetik i një autoreje shqiptare, i shkruar në dy variante: në gegnisht dhe në standardin e gjuhës së sotme letrare, çka e kam të vështirë ta mendoj, qoftë edhe si autor, që e ka për zemër gegnishten dhe përpiqet ta reflektojë disi në krijimtari, për mangësitë që la pas më 1972 (Kongresi i Drejtshkrimit) për këtë dialekt. Poezia në njëfarë mënyre është si Big-Bengu dhe, kur ndjehet e shkruhet, ajo “derdhet” emocionalisht e zakonisht në një “kallëp” të caktuar gjuhësor në gjuhën apo dialektin që shkruan autori dhe, pastaj, ajo kur është cilësore, pra me fat, merr rrugëtimin për t’u përkthyer, qoftë edhe nga vetë autori/ja, për ta “përkthyer” në standard. Më duket si njëfarë “eksperimenti” apo jehone të disa pikëpamjeve gjuhësore (gegnishtja në raportin me standardin e gjuhës dhe autorët shqiptarë që shkruajnë në këtë dialekt) të zotit Primo Shllaku, poet e drejtues i Institutit për promovimin e vlerave në Gjuhën Shqipe e njëkohësisht si redaktor i këtij libri, i cili si kryefjalë të argumenteve të tij ka se “Letërsia gege nuk ka vdekë”. Natyrisht edhe për variantin e standardit do të them ndonjë fjalë e, mbase edhe ndonjë sugjerim, pasi këtë autore deri më sot e kam lexuar kryesisht në gjuhën standard dhe, libri në këtë sens, ishte një befasi.

Vëllimi poetik “ANDRRA E GJETHE” i poetes Drita Ademi Beqiri, është mbase ndër shembujt tipikë të tezave të redaktorit, poetit të talentuar Primo Shllaku. Poezinë e saj e kam ndjekur spontanisht në gazetat letrare elektronike shqipe dhe në print, duke krijuar mendimin tim për të, por ky vëllim jep pak a shumë të plotë fizionominë e kësaj poeteje të talentuar, e cila ndër të tjera ka shkruar edhe këto vepra:
Placebo 2011 anglisht-shqip në Londër, Poezi të botuara Nga Novum, gjermanisht, Poezi të botuara në Frankfurter Bibliothek , në Frankfurt, Poezi të botuara në antologji gjermane dhe shqipe etj.
Pas librave poetikë të suksesshëm të poetit nga Kosova Ismail Sylaj, poetit fierak me banim në Itali Fatmir R. Gjata e të ndonjë tjetri, më në fund kemi rënë në një madem poetik të veçantë, siç është libri i poetes Drita Ademi Beqiri. Madem gjeologët i thonë mineralit të rrallë, kur ndeshin në të gjatë kërkimeve, të cilës përndryshe një botues e njëherazi studiues i Dritës, Dr. Fatmir Terziu, editor i gazetës elektronike “Fjala e lirë” në Londër, e cilëson saktësisht si “Poezi e simbolikës jetëdhënëse. Edhe vëllimi poetik “Andrra e gjethe” në shqyrtim pikërisht këtë ka si rezultante.
Autorja në 3-4 poezitë e para ka disa luhatje në përdorimin e gegnishtes, që përkojnë me fillimin e librit, siç janë poezitë: “Çast shembjesh”… “Ninullë e njomë”, ”Me duar prej uji” etj., por pastaj i tërë libri rrjedh në një gegnishte të bukur poetike, duke fokusuar gjërat e përditshme e më universale të njeriut: dashuria, nëna, babai, vëllai, atdheu (sidomos “Morine” e “Ulqin”), “këpuca e djathtë” dhe “këpuca e majtë” etj. etj., sa mund të jetë e vështirë të gjesh se çfarë nuk ka rrokur poezia e saj...
Poezia e Dritës është mjaft e metaforizuar, madje mund të themi pa ngurrim se mund të jetë ndër vëllimet e pakta poetike të këtij niveli ose ka një përkryerje të veçante metaforizuese me asocime derivuese të befta alegorike e simbolika nënkontekstuale, të këndshme, të ndjeshme e mençurore saqë ndesh në vargje sentenciozo-poetike e meditative që të befasojnë dhe të krijojnë ndjesi dhe emocione të bukura, vargje të cilat janë si filigranet qëndisëse, që e përthyejnë poezinë me një mikrofabul apo narrativë, duke bërë përgjithësime poetike origjinale. Në një kuptim figurativ poezia e Drita Ademit është e burimtë, bie fjala si të shtrish dorën në lëfytin e burimit të Lajthizës (që mbahet si uji më i mirë në treg sot) dhe jo ta marrësh në markete të njëjtin ujë të paketuar, i cili pas ndonjë elektrolize nxjerr në krye të enës papastërtitë poetike si huazimet, dhurimet, plagjiaturat, që i ndeshim në disa autorë/e që duan të pahitin veten me pak poezi të marrë hua etj.

Në poezinë e Drita Ademit nuk vëren ndikimin, por preferencën konstante dhe metabolizmin krijues të saj për poezinë popullore të Veriut, për poezinë e kultivuar të autorëve më në za të kësaj treve, sidomos në diakroni, e paprekur nga socrealizimi ose e krijuar jashtë trojeve të saj si Martin Camaj, apo poetët më të shquar të Kosovës si Azem Shkreli, Ali Podrimja, megjithëse poezia e Dritës është transparente mbase si vetë emri i saj, nuk ka gjurmë të hermetizmit, nqs këtë lexuesi nuk e konfondon me metaforën e alegorinë dhe artikulimin poetik origjinal të saj. Poezia e saj është sintetike, lakonike, koncentruese e me plot shprehësi poetike. Leksiku poetik i autores është mjaft i pasur, ku spikat pesha ose racionaliteti poetik maksimal i fjalës me ngarkesën e vet metaforike e simbolike. Poetja përdor mjeshtërisht retorikën poetike si te poezia “Tetor” etj. Poetja ka gjetje e momente a gjendje të bukura poetike, ku në brendësi të tyre ndrit edhe një sens humori i këndshëm.
Herë-herë poezia e Dritës ka nuanca të narracionit, të mikrofabulës, por atë, siç duket, kjo pak e intereson, ose kjo i shërben si rrugë për të kaluar meditimet e përgjithësimet e mëdha poetike të saj, siç thamë jo në tërë dimensionin e stofit poetik narrativ, por kryesisht në filigranet poetike mjeshtërore të saj e asosacitive, që të mbeten në mendje.
Mbase, mund të jetë ndër rastet e pakta, qëkurse përmenda dy autorët e mësipërm, që përbri çdo poezie në lexim të parë e të dytë të kem vënë shënimin: bukur, shumë bukur etj., si në poezitë “Morin”, “Ulqin”, “Mall”. Endem shpirtit (Atdheu i poetit është shpirti i tij):

Thonë se poetët

duhet ta kenë nji ATDHE.

Unë endem shpirtit.

Mos e paçi këtë fat., apo”Asht koha për nji britmë”

Ikën pulëbardhat tue thirrë

nga foleja në fole.

Kangët e tyne t’bardha

që këndoheshin ndër ne…, apo Dimën

U zhveshën drujt si burrat nga xhelozia,

u thinj bota u ba dyfish

në trajtën e nji letre dashnie

t’panisun kurrë.

Ikën zogjt, kanë mbetun vetëm njerëzit,

shpirtna që shkëmbehen lehtë.

S’asht kohë as e hinit e as e flakës.

Qielli ma s’bubullin,

veç borë, borë e bardhë bjen...apo: A e njihni ju nanën time?, ku ndrit vargu i mëposhtëm, në portretizimin madhështor e njerëzor të nënës, si bija për nënën:

Be baj /se ajo vdekjen e ka mashtrue, apo “Hije zogu”

apo EJA TË VDESIM NGA DASHUNIA, ku si dhe gjetkë spikatin imazhe poetike të shkëlqyera e origjinale Mbramja këput natën në qafë., merimanga thur epshet e vejushës.
Do të ishte thjesht një riprodhim i tekstit nëse do të vazhdonim të shkruanim poezitë, pasi i tërë libri është i tillë, njëra poezi më e arritur se tjetra.
Drita Ademi-Beqiri shkruan në varg të lirë; ajo gjithashtu përdor me sukses distikun, tercimënm, shkrepëtimën etj.
Siç mund të jetë marrë vesh edhe nga recensa deri më tani, mendimi im është që libri të botohet (të sjellë ndër mend librin poetik te Imzot Vincenc Prennushit “Gjethë e lule”), duke e menduar si një sukses për autoren. Ndërsa sa i takon botimit edhe në dialektin standard (se si të tingëllon kjo fjalë pasi e ke shijuar plotësisht gegnisht dhe jo me petka të tjera?!), sipas mendimit tim, i duhet lënë në dorë autores nëse do ta vazhdojë apo jo “eksperimentin”, - po i themi kështu, - pasi për lexuesin elitar të poezisë, teksti në gegnisht, ma merr mendja nuk përbën kurrfarë problemi për t’u kuptuar e për t’u shijuar tërësisht poezia e Drita Ademit- Beqiri. Redaksia Toena

Modifikuar më E Enjte, 03 Janar 2019 17:35
Login to post comments