Fjala e urtë popullore thotë se duhet t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Sa më të ulëta janë të ardhurat e një familje, aq më pak mundësi kanë të shpenzojnë për gjëra që konsiderohen luks, pasi më e domosdoshmja është sigurimi i nevojave bazë të të ushqyerit dhe strehuarit.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, familjet që shpenzojnë pak (Klasa I), harxhimet e tyre kryesore i kanë për ushqim dhe strehim, me gati 74% e totalit. Pjesa tjetër e shpenzimeve të tyre shkon për nevojat e tjera si mirëmbajtje e shtëpisë dhe mobilim, rreth 5% e shpenzimeve, komunikim, shëndet, pije alkoolike dhe duhan. Ndërsa për sa i përket shpenzimeve për restorante, argëtim, kulturë dhe arsim, kanë një peshë të papërfillshme në strukturën e shpenzimeve.
Por ndryshe ndodh me familjet që shpenzojnë shumë. Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, familjet që i përkasin Klasës V (familjet që shpenzojnë shumë), i kanë shpenzimet për ushqim sa 35% e totalit, ndërsa krahasuar me Klasën I (ata që shpenzojnë pak) kanë shpenzime më të larta për transport rreth 10.7% e totalit të shpenzimeve, për arsim 8.7%, banesë 8.4%, restorante dhe hotele 7.5%.
Shpenzimet për transport për familjet që shpenzojnë shumë zënë 10.7% të totali, ndërsa për familjet me shpenzime të ulëta vetëm 1.8%.
Ndryshe nga familjet me shpenzime të ulëta që preferojnë ushqimin e shtëpisë, familjet me shpenzime të larta shpenzojnë rreth 7.5% të shpenzimeve për të ngrënë jashtë, përkundrejt 1.4% që shpenzojnë familjet e klasës I.
Për familjet me shpenzime të larta, shpenzimet për arsim kanë një peshë 8.7% të totalit, ndërsa në familjet me shpenzime të ulëta rreth 0.1%.
Klasa V e familjeve shpenzon më shumë edhe për veshje, ku sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, shpenzimet për veshje zunë 4.7% të totalit, për kundrejt 2.5% që zinin tek familjet e Klasës I.
Shpenzimet për Komunikim zënë një peshë më të lartë te familjet që shpenzojnë pak, sa 4.7% e totalit të shpenzimeve të tyre, ndërsa për familjet e Klasës V, shpenzimet për komunikim janë sa 2.8% e totalit.
Si i përcakton INSTAT klasat e familjeve
Në Anketën e Buxhetit të Familjeve merret një kampion përfaqësues me 9,312 familje. Për të përcaktuar klasat, INSTAT renditet familjet sipas shpenzimeve, nga ato me shpenzime më të ulëta, te më të lartat. Klasa e I përfshin 20% e familjeve me shpenzimet më të ulëta, ndërsa klasa e V përfshin familjet me shpenzimet më të larta, shkruan ‘monitor’.
Shpenzimet për konsum të familjeve përfshijnë çdo lloj blerjeje produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të familjeve dhe individëve me përjashtim të blerjeve për pajisje afatgjatë, investimeve kapitale, parave për të tretët dhe qirasë së imputuar.