Një krim i rëndë në familje u shënua në Korfuz të Greqisë, ku 53-vjeçari shqiptar Aleko Petro, vrau vajzën e tij Anxhelina 29 vjeçe, ndërsa më pas trupin e saj e varrosi në kopshtin pas shtëpisë.
Nga hetimet e kryera rezulton se Petro e qëlloi disa herë me një shufër hekuri të bijën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Gjithçka ndodhi për shkak se Aleko nuk ishte dakord me lidhjen e së bijës me një 30-vjeçar me origjinë nga Afganistani, i cili ishte birësuar nga një familje greke.
Mediat greke kanë zbardhur bisedën e fundit të të dashurit të Anxhelinës.
Ai ka thënë se prej afro një viti bashkëjetonin dhe se ditën e parë të janarit, Anxhelina kishte shkuar të vizitonte të atin me rastin e festave.
I riu ka thënë se nuk donte që ajo të shkonte tek i ati për shkak të raporteve jo të mira mes tyre, por sërish nuk e ka penguar.
Mbrëmjen e 1 janarit ai telefonoi Anxhelinën për ta pyetur nëse kishte arritur në shtëpinë e të atit, por duket se pikërisht kjo telefonatë ka acaruar 53-vjeçarin.
Nga aty duket se ka nisur debati mes babait dhe vajzës. Kështu i riu e telefonoi Anxhelinën rreth gjysmë ore më vonë, por në ato momente pasi i tha se ishte te shtëpia e të atit, ajo i kërkoi që të mbyllte telefonin, teksa në sfond dëgjohej Aleko duke bërtitur.
Pas kësaj, e reja u dëgjua të thotë “Është e ndaluar që t’i flas edhe në telefon?” dhe më pas biseda u ndërpre.
Gjithçka pasi Anxhelina e kishte lënë që pas vizitës tek i ati ta priste i dashuri i saj, për tu larguar, por e reja nuk doli kurrë.
Kështu me kalimin e orëve, ai bëri denoncim në polici për zhdukjen e 29-vjeçares, duke çuar edhe në zbulimin tragjik.