Presidenti Meta deklaroi sot në mbrëmje në emisionin “A Show” të gazetarit Adi Krasta se është gati të pranojë një marrëveshje Kosovë-Serbi, që sipas tij “arrihet me konsensusin e klasës politike në Kosovë e në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”. Ndërkohë lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Kreu i Shtetit shqiptar ka theksuar sërish se “Ballkani do të bëhet si gjithë Europa vetëm përmes bashkëjetesës dhe jo përmes ndryshimit të kufijve”. Sipas Metës “çdo ide për shkëmbim territoresh ngado që vjen, sido që të vijë, krijon vetëm shqetësime dhe rreziqe të reja në Ballkan”.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetari: A keni informacion apo qëndron pandehma paralele, që ka një dakordësi hëpërhë të folur pak me kujdes midis Kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë që dinamika e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë të shkojë drejt shkëmbimit të territoreve si një shprehje sipas tyre që problemi në Ballkan të zgjidhet përfundimisht dhe secili të marrë atë që do? Pra, kjo marrëdhënie ekziston apo kjo është një legjendë urbane?
Presidenti Meta: Unë mund t’ju jap përgjigjen nga ana ime. Qyshkur jam angazhuar në politikë me thirrjen “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” e që kur kam filluar të kuptoj nga politika e jashtme në fillim të viteve ‘90, gjithnjë kam qenë i bindur që Ballkani do të bëhet si gjithë Europa vetëm përmes bashkëjetesës dhe jo përmes ndryshimit të kufijve. Aktualisht janë vënë në diskutim edhe tema të tilla, që janë menduar tabu në të kaluarën.
Sikurse e tha këtu Presidenti Mesiç, kur u bë gjithë ajo luftë në ish-Jugosllavi, sepse mund të ishin ndarë paqësisht, pasi edhe në Jugosllavi ekzistonin kufijtë midis republikave dhe krahinave, por e gjithë kjo u bë që Serbia të përfitonte territore të reja dhe në fund fare u vranë qindra mijëra njerëz dhe nuk u ndryshua asnjë centimetër kufi.
Aktualisht është në lëvizje një ide e tillë e cila ka qenë prej kohësh nga ana e Serbisë. Unë nuk besoj te shkëmbimi i territoreve, nuk besoj se ndryshimi i kufijve është një zgjidhje. Unë mendoj se Serbia e ka marrë përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku vetë Serbia ka shkuar për të verifikuar nëse Pavarësia e Kosovës ka qenë apo jo konform ligjeve ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje shumë të pastër. Cila do të jetë marrëveshja? Marrëveshja është, Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian kur të zgjidhë problemet me të gjithë fqinjët dhe problemi me Kosovën është kryesori dhe Kosova njëkohësisht të marrë vendin që i takon në OKB e njëkohësisht në të gjitha organizatat e tjera. Duam ta bëjmë më të vështirë këtë gjë? Kjo është një çështje e të tjerëve si të thuash, por unë personalisht mendoj që çdo ide për shkëmbim territoresh ngado që vjen, sido që të vijë, krijon vetëm shqetësime dhe rreziqe të reja në Ballkan.
Gazetari: A keni folur Ju personalisht me Kryeministrin për këtë çështje të rëndësishme që konsiderohet si “patate e nxehtë”, e keni përmendur apo folur ndonjëherë?
Presidenti Meta: Kemi pasur edhe ndonjë rast që kemi folur për këtë çështje, por besoj që mesazhet e mia kanë qenë dhe janë tepër të qarta. Mendoj që kjo është edhe politika zyrtare e Shqipërisë, kjo është politika për të cilën kjo qeveri është votuar në Parlament dhe Ministri i Jashtëm, zoti Bushati besoj që në këtë çështje ka mbajtur qëndrime mjaft parimore dhe mbetet e rëndësishme të punojmë për bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe serbëve. Sepse ndryshimi i kufirit përmes vijave etnike më duket një operacion i pamundur aq më tepër po të kemi parasysh – unë para pak ditësh vizitova dhe Patriarkanën e Pejës, vizitova dhe Manastirin e Deçanit, ato janë në kufi me Shqipërinë, nuk janë në kufi me Serbinë dhe janë trashëgimi kyçe, kryesore, për ortodoksinë serbe.
Kështu që nuk e di se çfarë do të zgjidhte një ndryshim apo një zhvendosje, kur ne e dimë shumë mirë se Kosova dhe Mali i Zi për disa pyje midis Pejës dhe Malit të Zi, ku nuk banon askush për vite të tëra edhe pse u arrit një marrëveshje, nuk u zbatua dhe Kosova u penalizua për liberalizimin e vizave. Nuk mund të besoj te ndryshimi i kufijve, por absolutisht në çdo rast do të pranoja një marrëveshje që arrihet me konsensusin e klasës politike në Kosovë e në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.