Moti i keq/ Bashkia e Shkodrës tregon situatën aktuale dhe masat e marra

E mërkurë, 09 Janar 2019 09:20

Bora e dendur që ka rënë gjatë natës në Shkodër ka krijuar një shtresë 3-4 cm. 7 fadroma janë vënë në punë për të hapur rrugët e qytetit dhe shpërndarë kripë në rrugët dhe trotuaret e qytetit, pranë spitaleve dhe në hyrje të shkollave.

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi njoftoi se “vëmendja është përqendruar në rrugët kryesore të qytetit dhe pastrimin e trotuareve në afërsi të institucioneve të rëndësishme si spitali, shkollat etj.”

Sipas raportimeve të deritanishme nga njësitë administrative të Bashkisë së Shkodrës, situata paraqitet si më poshtë:

Njësia Administrative Guri i Zi: rruga nacionale është e kalueshme pa probleme, në fshatrat Rragam dhe Sheldi lëvizja është më e vështirë. Në shkollat e këtyre fshtarave nuk zhvillohet mësim.

Njësia Administrative Shosh: në fshatra trashësia e dëborës është 15- 20 cm dhe rreshjet vazhdojnë. Rruga momentalisht është e kalueshme me zinxhirë. Shkollat nuk janë hapur nga vështirësitë e krijuara nga dëbora.

Njësia Administrative Dajç: rrugët janë ta kalueshme, nuk paraqiten probleme.

Njësia Administrative Ana e Malit: dëbora ka një trashësi 4-5 centimetër, nuk ka probleme për qarkullimin.

Njësia Administrative Postribë: Firma kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve po punon me dy fadroma. Një fadromë po punon për pastrimin e rrugës nga Ura e Bardhajve drejt fshatit Postribe, ndërsa një tjetër nga Pulti në drejtim të Mesit.

Njësia Administrative Velipojë: rrugët janë të kalueshme, mësimi në shkolla vazhdon normalisht.

Njësia Administrative Pult: trashësia e dëborës është 20 cm, në qafën e Malit të Shoshit trashësia është 30 cm. Rruga është e kalueshme dhe një fadromë është në gatishmëri për çdo eventualitet.

Njësia Administrative Rrethina; reshjet e dëborës nuk kanë shkaktuar probleme në qarkullim. Mësimi në shkolla vazhdon normalisht, qendrat shendetësore janë në punë.

Njësia Administrative Berdicë: rrugët janë të gjitha të kalueshme pa probleme. Mësimi në shkolla vijon normalisht, qendrat shëndetësore janë të hapura.

Login to post comments