Kryetarit të KLSH-së Bujar Leskajt i ka mbaruar mandati. Mësohet se në vend të tij është vendosur zv/Kretarja Lindita Milo deri në emërimin e një kryetari tjetër.
Njoftimi:
Kryetari KLSH-së, z.Bujar Leskaj ka përfunduar mandatin kushtetues si kryetar i KLSH. Kompetencat e tij do t’i marrë zv/Kryetarja Lindita Milo.
Në datën 8 janar 2019, pas botimit në Fletoren Zyrtare të RSH me nr.193, hyri në fuqi Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 244, datë 22.12.2018, sipas të cilit delegohet ushtrimi i detyrës dhe përgjegjësive shtetërore të titullarit të institucionit përgjatë fazës kalimtare e tranzitore nga përfundimi i mandatit kushtetues të Kryetarit të KLSH (datë 23 dhjetor 2018) deri në emërimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Kryetarit të ri të KLSH-së, tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo (Lati).
Javën e fundit të dhjetorit në takime të veçanta, Kryetari i KLSH-së, z.Leskaj informoi për Vendimin e delegimit të kompetencave tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo, Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, zv/Kryetarin e Kuvendit, Kryetarët e Partive opozitare dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, si edhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas realizimit të takimeve zyrtare, në datën 31 dhjetor 2018 përcolli vendimin tek Qëndra e Publikimeve Zyrtare. Vendimi hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare në datën 8 janar 2019.
Zonja Lindita Milo (Lati), aktualisht Zv/Kryetare dhe Drejtore e Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit ka përfunduar studimet universitare në profilin Financë- kontabilitet, mban titullin shkencor “Profesor” si dhe gradën shkencore “Doktor” në Kontabilitet (1996) nga Universiteti i Tiranës dhe Ph.D. në Ekonomiks (2001) nga “Staffordshire University”, Britania e Madhe.
Në vitet 2006-2016, zj.Milo ka qenë Kryetare e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës, që nga viti 1990 e në vijim Lektore pranë Departamentit të Kontabilitet, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Zonja Milo në vitet 2004-2010 ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, Bashkëpunëtore e jashtme e IEKA që në vitet e para të themelimit të profesionit të auditimit të jashtëm. Autore e disa teksteve, monografive, artikujve dhe punimeve të tjera shkencore në fushën e kontabilitetit, konkurencës, auditimit, etj.
Ky vendim arsyetohet nga korniza e mëposhtme ligjore e rregullatore në vendin tonë, si dhe u referohet praktikave më të mira bashkëkohore të INTOSAI-t që kontribuojnë në konsolidimin e pavarësisë, neutralitetit, paanësisë dhe integritetit të Institucioneve Supreme të Auditimit, sa vijon:
– neni 162/2, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton se “Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit “qëndron në detyrë për 7 vjet, më të drejtë rizgjedhjeje”;
– neni 23, i Ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, që përcakton se “Mandati i Kryetarit të KLSH-së mbaron kur: a) mbaron afati shtatëvjeçar i qëndrimit në detyrë”;
– neni 25, germa “ë”, e Ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, mbi kompetencën e Kryetarit “për të përcaktuar strukturën, organikën dhe emërtimin e funksioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”;
– Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI të INTOSAI-t, Udhëzuesit e aplikueshëm dhe praktikat më të mira bashkëkohore që i kontribuojnë mbrojtjes së paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit politik dhe besueshmërisë së institucionit suprem të auditimit (ISSAI 30);
– Ligji nr. 44/2015, datë 30.4.2015 , “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;
– neni 4, i Vendimit të Kryetarit të KLSH-së nr. 27, datë 20.04.2018, “Për miratimin e Kodit Etik të Kryetarit dhe drejtuesve të lartë të KLSH”, ku cilësohet se, “Kryetari i KLSH-së, në ndjeshmëri të lartë dhe përgjegjshmëri maksimale ndaj pasojave të problematikës që paraqitet përpara titullarit të një institucioni kushtetues të pavarur që mund të rikandidojë për pozicionin që mban, problematikë e cila rrezikon të cënojë pavarësinë e institucionit të pavarur kushtetues që ai drejton,e deklaron publikisht për gjatë viteve që ushtron aktiviteti synimin dhe vullnetin e tij për të mos rikandiduar, si dhe, katër muaj përpara datës së mbarimit të afatit të qëndrimit në detyrë, i adreson zyrtarisht Presidentit të Republikës kërkesën për mos rikandidim për t’u rizgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”.
Në 2 shtator 2018, Kryetari i KLSH-së, ka informuar Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit lidhur me Kodin Etik të Kryetarit.
Kryetari i KLSH-së pas njoftimit të Drejtuesve të Lartë të Shtetit, ka informuar të gjithë Drejtuesit dhe Audituesit e KLSH-së për vendimin e marrë me synim garantimin e vijimësisë dhe normalitetin në punën e audituesve e të stafit të KLSH-së, si dhe realizimin e objektivave të përcaktuara përgjatë fazës së përzgjedhjes, nominimit dhe miratimit të kandidaturës së re për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.