Videoskandali seksual, KLGj pezullon nga detyra gjyqtarin Hysi

E Enjte, 10 Janar 2019 21:05

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar nga detyra gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi, i arrestuar pak ditë më parë. Ai u arrestua pas publikimit të denoncimit ndaj tij, ku shfaqej në një video teksa merrte ryshfet dhe i kërkonte favore seksuale një gruaje, që ishte në proces gjyqësor për kujdestarinë e vajzës.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar nenin 140, pika 3, të Kushtetutës dhe nenin 151, pika 1, gërma “a” të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, menjëherë sapo u njoh me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi me unanimitet në mbledhjen e datës 10.01.2019, pezullimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, z. Roland Hysi.

Gjatë mbledhjes anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, shprehën vendosmërinë për të luftuar pa asnjë kompromis çdo akt apo sjellje që diskrediton rëndë figurën e gjyqtarit. Duke pasur si objektiv parësor rikthimin e besimit të publikut tek gjyqësori, Këshilli i Lartë Gjyqësor do vijojë pa kompromis betejën ndaj çdo lloj korrupsioni të shfaqur, në të gjitha nivelet, me qëllimin final sigurimin e sundimit të ligjit, pavarësinë dhe eficiencën e gjyqësorit“- thuhet nga KLGJ.

ARRESTIMI:

Pas skandalit të publikuar në emisionin “STOP” , në të cilin gjyqtari Hysi shfaqej teksa i kërkonte nënes së divorucar rryshfet e marrëdhënie seksuale në këmbim të dhënies së kujdestarisë së fëmijës, policia ka vënë në pranga 50 vjeçarin dhe psikologen, e cila luante rolin e sekseres.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtesisë” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjishëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në videopërgjim, gruaja, denoncuese tregon gjithë kalvarin që i është dashur të përballojë, duke blerë me euro fëmijën e saj. Gjyqtari i Fierit Roland Hysi i kërkon seks për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës. Po kështu zonja i jep psikologes 500 euro për Hysin, duke i premtuar edhe 500 euro të tjera në mbyllje të gjyqit.

Login to post comments