Rreth 1100 fëmijë të prekur nga dhuna, bullizmi e shfrytëzimi

Premte, 11 Janar 2019 22:43

Përgjatë vitit 2018, rreth 1100 fëmijë e adoleshentë kanë denoncuar dhunën, bullizmin, si dhe shfrytëzimin për përfitime ekonomike. Ndërkohë, rreth 220 vajza të moshës 13-15 vjeç kanë raportuar se kanë rënë pre e ngacmimit apo abuzimit seksual, madje edhe në shkolla. Shifrat u bënë publike gjatë aktivitetit të 10 vjetorit të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë, ALO 116. Drejtori i kësaj platforme, Mirgit Vataj tregon se të miturit i janë drejtuar ALO 116 për të kërkuar ndihmë edhe për dhunën e ushtruar nga institucionet arsimore.

Gjatë aktivitetit janë prezantuar edhe raste konkrete të fëmijëve që kanë rënë pre e kërcënimeve apo janë detyruar të lypin nga vetë prindërit e tyre

Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë përgjatë 10 viteve të veprimtarisë së saj ka arritur të trajtojë mbi 17 mijë raste të formave të ndryshme të abuzimit me të miturit e moshës 6-18 vjeç. Raporti tregon se gjatë 2017 në 42% të rasteve fëmijët janë dhunuar nga mësuesit, ndërsa 2018 ka shënuar 120 raste dhune në shkollë, 51 raste dhune në familje dhe 29 në shoqëri.

Modifikuar më Premte, 11 Janar 2019 22:44
Login to post comments