Ndalimi i importit të automjeteve më të vjetra sesa 10 vjet, duke filluar nga 2 dhjetori, ka ndikuar ndjeshëm në frenimin e tyre, që në muajin e parë të zbatimit të ligjit.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Doganat tregojnë se në dhjetor 2018 u importuan vetëm 1,749 automjete të përdorura, një shifër shumë më e ulët se mesatarja mujore 3,000-5,000 automjete, që janë importuar mesatarisht në periudhën 2012-2018.
Këtij niveli të ulët i parapriu importi i lartë në nëntor, përpara hyrjes në fuqi të ligjit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në nëntor, tregtarët nxituan të importonin automjete të përdorura tej nevojave të tregut, teksa importi i tyre arriti në 7,731, nivel rekord. Edhe në tetor, kur ishte dhënë tashmë lajmi për masën që synonte uljen e ndotjes në mjedis, u importuan gati 5 mijë automjete të vjetra.
Në total, gjatë gjithë vitit 2018 janë importuar rreth 50 mijë mjete të përdorura, me një rritje prej 11% në raport me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga 2012-2013, kohë kur u konstatua rritje e importit të mjeteve të përdorura, pas heqjes së detyrimeve doganore.
Nga 2 dhjetori 2018, ka hyrë në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, që ndalon importin e automjeteve që janë të përdorura më shumë se 10 vjet, duke ndikuar mesatarisht 80% të totalit të importeve vjetore. Mjetet e reja që do të hyjnë duhet të përmbushin normën Euro 5, si për makinat ashtu dhe kamionët, ndërsa autoveturat e përdorura, që përmbushin normën Euro 4, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Për gjithë vitin 2018, importet e automjeteve të reja arritën në 2,886, me një rritje minimale prej 30 automjetesh në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të Doganave, duke përbërë vetëm 5.5% të totalit të mjeteve që hynë në një vit.
Automjetet stok plotësojnë kërkesën të paktën edhe për një vit
Në fund të shtatorit 2018 kishte rreth 56 mijë automjete stok në vend, që llogaritet si diferenca mes mjeteve që janë importuar dhe atyre që janë regjistruar, sipas të dhënave nga Doganat dhe Drejtoria e Transportit Rrugor, të përpunuara nga QKM. Këtyre u shtohen dhe të paktën rreth 10 mijë mjete të importuara në tetor-nëntor.
Stoku më i madh u krijua pas vitit 2011, kur u hoqën detyrimet doganore për makinat e vjetra. Importi i makinave kërceu në 50 mijë në 2012-n dhe 62 mijë në 2013-n, dyfishi i mesatares vjetore në periudha normale, duke krijuar një stok prej rreth 18 mijë mjetesh në 2013-n.
Më pas, tregu u stabilizua, në një nivel prej 2-3 mijë mjetesh në vit, për t’u rritur sërish në 2018-n, sidomos në muajt e fundit, kur u njoftua vendimi për ndalimin e importeve. Vendimi i qeverisë u jep afat të gjithë tregtuesve që të targojnë automjetet e importuara deri më 1 mars të këtij viti. Stoku aktual i automjeteve është i barabartë me kërkesën vjetore për makina në vend.
A do të rritet çmimi i automjeteve të përdorura?!
Ka një debat lidhur me ndikimin që do të ketë ndalimi i mjeteve të vjetra në çmimin e autoveturave ekzistuese. Për Reinaldo Krisafin, CEO i Tendence3a, distributor zyrtar Renault Dacia Nissan, frenimi i hyrjes së mjeteve nën Euro 5 do të jetë faktor për rritjen e çmimeve për mjetet që do të jenë në stok në tregun shqiptar. I këtij mendimi është edhe Gentian Bushati, menaxher i përgjithshëm i Porsche Albania.
Ai thotë se një efekt u kufizimit të importeve do të jetë shtrenjtimi i parkut të automjeteve ekzistuese, pasi ato do të jenë më pak të disponueshme.
Por, të paktën në afatin e shkurtër, stoku i lartë i automjeteve që janë gjendje pritet të ushtrojë presion në mosrritjen e çmimeve. “Për kategorinë që duan mjete shumë të lira e me moshë të madhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi muajt e fundit janë importuar aq shumë mjete sa do të ketë gjendje për të gjithë kërkesën për të paktën edhe një vit”, thotë Eno Zeneli, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles.
Krisafi pohon se ¬në tregun shqiptar, gjenden në stok rreth 120.000 mjete të përdorura Euro 2, 3, 4, 5 ende të pashitura, të patarguara në trajtë stoku nga tregtarët me apo pa licencë. /Monitor/