Zbardhet roli i “Ronit të Shijakut” në trafikun e heroinës

Saturday, 19 Janar 2019 17:14

Hekuran Hoxha, 48-vjeçari i arrestuar mbrëmjen e së premtes në kuadër të operacionit “Vol-vo 4” dyshohet të jetë një emër i rëndësishëm në trafikun e narkotikëve. Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur dyshime se ai është një eksponent kryesor i grupit të “Avdulajve” në Shijak, si edhe porositës i heroinës së gjetur në laboratorin e drogës në Brenog të Hasit, ku në tetor 2018 u gjetën dhe sekuestruan 182.5 kg morfinë.

Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda bënë me dije se 48-vjeçari është lidhje e afërt familjare e biznesmenit Admir Hoxha, i dyshuar si personi që ngriti laboratorin e drogës në Has, aktualisht në kërkim nga policia. Sipas hetuesve, Hekuran Hoxha, i njohur dhe me nofkën “Roni i Shijakut” ka mbajtur kontakte të vijueshme me Admir Hoxhën në lidhje me aktivitetin e paligjshëm që pritej të kryhej në laboratorin e Hasit.

Hoxha u arrestua në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” dhënë në mungesë për të në 17 janar 2019 nga Krimet e Rënda, për akuzat e “prodhimit dhe shitje e narkotikëve”, “trafikim i narkotikëve”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerje e veprave penale nga organizata kriminale”.

Hoxha njihet për precedentë të mëparshëm penale. Në vitin 2009 ai u dënua me 9 vjet e 4 muaj burg është gjykuar nga Gjykata për Krimet e Rënda si pjesë e jë grupi që trafikoi një sasi prej 486 kilogramëve heroinë drejt Italisë. Dy vite më vonë ai u dyshua si i përfshirë në trafikun e heroinës në Turqi.

Login to post comments