KLSH: Karburanti po shitet pa standarde

Diel, 20 Janar 2019 08:51

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbardhur zonat ku janë ndeshur mostra karburanti jashtë standardeve në gjithë territorin e vendit, duke u bazuar te kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në subjektet tregtuese me pakicë të karburanteve.

Sipas tyre, zonat më problematike, të cilat kanë numrin më të lartë të mostrave me tregues jashtë standardit janë Tiranë-Durrës-Elbasan dhe Fier-Vlorë-Berat.

Sipas KLSH, janë vendosur penalitete sipas viteve 2015, 2016 dhe 2017 përkatësisht: 271, 257 dhe 76 gjoba, të cilat ndjekin trendin e uljes së subjekteve me tregues të mostrave jashtë standardeve të cilësisë, ku arkëtimi i tyre vjen në rritje, megjithëse ngelet problematik arkëtimi vullnetar i vlerës së gjobave.

Ndërkohë që në analizën e vet Kontrolli i Lartë i Shtetit konkludon se numri dhe cilësia e inspektimeve është e mangët, pasi vetë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial  ka mungesa në infrastrukturën e nevojshme (makina, karburant, pajisje kompjuterike dhe internet), si dhe të zyrave rajonale, për kryerjen e inspektimeve zike dhe atyre on-line.

Login to post comments