Mungesa vizionit të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social-kulturor, po rrit bilancin e largimeve nga Shqipëria

Diel, 20 Janar 2019 14:28

Flet Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë

 Mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin ekonomik dhe social-kulturor të vendit, po rrit bilancin e largimeve nga Shqipëria thotë Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Ai pohon se për shkak të kësaj situate bizneset janë në alarm për specialistë të kualifikuar dhe kompetent në ushtrimin e profesionit të tyre.

Largimi i fuqisë punëtorë rrezikon eficiencën e industrisë prodhuese dhe përpunuese si pasojë e mungesës së kualiteteve dhe kapitalit të ri human, teksa mungesa e konsumatorit potencial në qarkullimin ul në mënyrë të ndjeshme kërkesën për produkte dhe shërbime në treg. Për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës Jaka propozoi një bashkëpunim më të thellë ndërmjet sipërmarrjes private dhe sistemit arsimor, sidomos arsimit profesional. Ai propozoi gjithashtu hartimin e një politike reale mbështetëse financiare për lindjet e reja. Lidhur me këtë pikë sipërmarrja private ka propozuar edhe aplikimin e një takse të përkohshme solidariteti për banesat sociale dhe mbështetjen e lindjeve te reja.

Zoti Jaka si po ndikon emigracioni i të rinjve në forcën e punës dhe cilët sektorë janë më të ekspozuar?

Hendeku ndërmjet daljeve dhe hyrjeve të shtetasve shqiptare në pikat kufitare vitet e fundit tregon se vendi është përfshirë në një cikël të ri masiv emigracioni, kryesisht rinia dhe kapitali human i kualifikuar.

Heqja e vizave me BE dhe mungesa e një vizioni të qartë të zhvillimit ekonomik dhe socialkulturor të vendit po rrit bilancin e largimeve nga Shqipëria. Bizneset janë në alarm për specialiste të kualifikuar dhe kompetent në ushtrimin e profesionit të tyre. Aktualisht ekonomisë shqiptare i mungon fokusi për të krijuar vlerë të shtuar dhe avantazhe krahasuese përkundrejt potencialeve qe ajo ka dhe nga ana tjetër në konkurrueshmëri me tregun dhe ofertën rajonale.

Sipërmarrjet e mëdha në sektorët e telekomunikacionit, bankave, pothuajse janë maturuar tashmë dhe nuk prodhojnë më as kërkesë për punësim dhe as vlerë të shtuar në ekonomi. Këto sipërmarrje janë të shëndetshme mjaftueshëm dhe të qëndrueshme përkundrejt sektorëve të tjerë që janë në lëngim apo në proces zhvillimi.

Mungesa e prezantimit te sektorëve prioritare të Ekonomisë shqiptare e vetëstimulon fenomenin e emigracionit. Emigracioni i kapitalit human dhe të kualifikuar dhe sidomos rinisë dëmton rënde perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe social-kulturor të një vendi në proces zhvillimi si është vendi ynë.

Çfarë kostosh i krijohen bizneseve nga ky fenomen?

Po të analizojmë me kujdes kostot e këtij fenomeni për kundrejt sipërmarrjes private, në veçanti dhe zhvillimit ekonomik në tersi, do përballemi me indikator që na prezantojnë një skenar jo të mirë për të ardhmen e vendit tonë.

1- Rrezikohet eficienca e industrisë prodhuese dhe përpunuese si pasoje e mungesës së kualiteteve dhe kapitalit te ri human.

2- Mungesa e kapaciteteve drejtuese dhe menaxheriale të të gjithë sektorëve të sipërmarrjes private.

3- Mungesa e interesit për të investuar në sektorët strategjike dhe prioritarë nga investitorë potencialë të huaj.

4- Mplakja dhe mpakja e popullsisë shqiptare, skenar shumë i rrezikshëm për të ardhmen.

5- Mungesa e konsumatorit potencial në qarkullimin tregtar që për pasojë rrudh në mënyre të ndjeshme kërkesën për produkte dhe shërbime në treg .

Jam i bindur që efektet negative janë të shumta në numër dhe kërkon një analizë të thelluar dhe të vetëdijshme .

Çfarë masash duhen marrë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës?

Lidhur me reagimin, qasjen dhe reformat që duhet të ndërmerren po përmendim disa përciptas duke i parë gjithmonë në këndvështrimin e kërkesave që ka sipërmarrja private.

1- Reforma efikase në sektorët e ekonomisë duke kthyer besimin të portofoli financiar si për investitorët vendas ashtu edhe për të huajt.

2- Mbështetje reale për start up dhe idetë inovative duke aplikuar praktikat me të mira të vendeve që kanë rezultuar të suksesshme. Kjo politikë duhet adresuar kryesisht tek rinia dhe të sapo diplomuarit. implementimi i një programi të koordinuar në bashkëpunim më sipërmarrjen private për financimin e ideve më të mira dhe që japim besim për qëndrueshmëri dhe rentabilitet.

3- Aplikimi në koordinim me sipërmarrjen private sipas kërkesës dhe ofertës lidhur me arsimin dhe kualifikimi dual profesional.

4- Hartimi i një politike reale mbështetëse financiare për lindjet e reja dhe krijimin e familjeve të reja. Lidhur me këtë pike sipërmarrja private ka propozuar edhe aplikimin e një takse të përkohshme solidariteti për banesat sociale dhe mbështetjen e lindjeve te reja.

5- Hartimi i një pakti kombëtar për plan menaxhimin territorial duke përcaktuar qartësisht sektorët prioritare të zhvillimit Ekonomik kombëtare.

6- Fokusimi i klasës politike dhe në veçanti e Qeverisë Shqiptarë ndaj problemeve që shqetëson sipërmarrjen dhe ekonominë në tërësi.

Login to post comments