Çifti humbi jetën në aksident, vëllai i viktimës: I kanë bërë edhe shkaktarë

Hënë, 21 Janar 2019 22:14

Të afërmit e Saimir dhe Vjollca Shahollit, dy bashkëshortëve që humbën jetën mbrëmjen e 4 dhjetorit, të aksidentuar nga një makinë në anë të rrugës nacionale Korçë-Pogradec, kërkojnë drejtësi.

Sotir Nikolla, drejtuesi i automjetit që u përplas me ata, pak metra para se të mbërrinin në Poçestë, tek e bija, pret gjykimin në gjendje të lirë pas aksidentit.

“Dëshmitarët thonë se ai ka qenë me shpejtësi mbi 150 km/h. Kur kam parë vëllain atje, kur e nxora, ishte i shkatërruar. Unë jam besimtar, por po të jetë nevoja e zhvarrosim për ta parë sesi ishte bërë vëllai. Kocka më e madhe ishte 15 cm, të tjerat ishin thyer tërësisht. Ndërsa kunata ishte këputur në mes”, thotë Bashkim Shaholli, vëllai i viktimës.

Drejtuesit të mjetit iu ndryshua masa, nga “arrest” në “detyrim paraqitjeje”, pas ankesës në Gjykatën e Apelit të Korçës.

E po ashtu si ai, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, në aktin e ekspertimit janë fajësuar edhe dy viktimat, teksa për ata thuhet se “kanë pasur ndikimin më të madh si shkaktarë të aksidentit”.

“Si thua, është normale? Si qenka normale që paskan marrë edhe fajin me vete? Shteti shqiptar le ta shpërblejë atë zotërinë, me që paska bërë heroizëm dhe i vrau këta. Ne kërkojmë të veprojë shteti sipas ligjit: të dënohet”, tha Bashkim Shaholli

Modifikuar më Hënë, 21 Janar 2019 22:14
Login to post comments