Shqipëria ka fituar vetëm tre pozicione në indeksin global të talenteve, që publikohet çdo vit në prag të fillimit të punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Por, pavarësisht progresit në renditje, aftësia e Shqipërisë për të rritur apo edhe thithur talente duket se është përkeqësuar, pasi pikëzimi ka pësuar rënie. Kështu, në raportin e këtij viti, Shqipëria renditet e 75-ta ndër 125 vende të ndryshme të botës, me 37.35 pikë ndërkohë që një vit më parë mbante pozicionin e 78-të, por me 37.47 pikë.
Ky pozicionim e rendit vendin tonë ndër 3 performuesit më të dobët në Europë, më mirë vetëm se Moldavia dhe Bosnje Hercegovina. Në profilin e Shqipërisë ndërkohë, ndër nën-indikatorët, rezulton të ketë perforformancën më të dobët ai që i referohet aftësive dhe njohurive globale, që na pozicionon në vendin e 98-të në botë, ndër 125 ekonomi. Ndër nën-indikatorët më alarmantë janë ata të dy që i referohen trurit, mbajtjes së trurit, pra të aftësisë për të mbajtur në vend individët e kualifikuar dhe me aftësi, por edhe përthithja e trurit, pra të individëve të aftë të lindur jashtë Shqipërisë.
Në nën-indikatorin e parë, atë të mbajtjes së trurit jemi të 106-tët në botë, dhe në atë të thithjes së trurit, të 111-tët në botë. Në të dy këto drejtime, vendi ynë ka bërë hapa prapa në krahasim me një vit më parë. Sa i përket formimit të talenteve ndërkohë, Shqipëria renditet e 75-ta në botë, në përkeqësim nga një vit më parë. Kriteri më pozitiv është ai që i referohet barazisë gjinore, paçka se në hendekun në të ardhura Shqipëria është e 84-ta në botë.