Në Shqipëri, drejtuesit e dy institucioneve pranë të cilave kompania DH Albania kishte mundur të fitonte dy gara publike përmes dokumenteve të falsifikuara, janë larguar nga detyra. Dje, administratori i Operatorit të Transmetimit, Klodian Gradeci dha dorëheqjen “për arsye personale”. Një akt që duket më shumë i detyruar, ngre dyshimin e saj Zëri i Amerikës, duke qenë se nuk i ka gjetur aspak në befasi autoritetet të cilat po brenda ditës së djeshme, emëruan zëvendësin e tij. DH Albania kishte fituar pranë OST garën për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi për një vlerë prej 12 milion eurosh, pothuajse aq sa ishte dhe fondi limit i përcaktuar.
Sot ka qenë radha e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro, i cili është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Sonila Qato ish-ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Pranë ARRSH-së, DH Albania fitoi garën për ndërtimin e një pjesë të Unazës së Re, për 18 milion euro, edhe në këtë rast thuajse sa ishte fondi limit, duke qenë e vetme në konkurrim.
Pasi u bë publik fakti se DH Albania kishte falsifikuar dokumentet, të dy garat u anuluan, dhe u rihapën nga e para. Për ndërtimin në Unazën e Re, ndryshe nga hera e parë u paraqitën 5 kompani, me oferta, ku më e ulëta ishte afro 14.2 milion euro, ose 3.8 milion euro më pak se ajo me të cilën fitoi DH Albania, duke forcuar dyshimet mbi mënyrën e zhvillimit të garës së parë.
Autoritetet shqiptare janë mbrojtur duke deklaruar se formalisht DH Albania ishte paraqitur në rregull me dokumentet dhe se ata nuk kishin pasur asnjë arsye për të dyshuar e për pasojë për të bërë verifikime. Por lëvizjet e dy ditëve të fundit në drejtimin e dy institucioneve pranë të cilave kompania fitoi tenderët, nuk shkojnë në linjë me këtë qëndrim, ndonëse zyrtarisht ato nuk janë lidhur me skandalin e mashtrimit, ngre një tjetër dyshim Zëri i Amerikës.
DH Albania u regjistrua në Shqipëri në korrik të vitit të kaluar si degë e shoqërisë amerikane Dunwell Haberman. Përfaqësuesi i saj zyrtar ishte një 26-vjeçar i panjohur, Avdjol Dobi, i cili arriti që në pak muaj t’i siguronte kompanisë punime publike për 30 milion euro.