Reshjet e shiut prej disa ditësh kanë "pushtuar" vendin tonë, ndërsa në zonat malore vijojnë që të jenë në formë dëbore, më të shumta në qarkun e Dibrës.
Zona e Lurës është në mungesë të energjisë elektrike prej 24 oreve. Probleme me elektricitetin ka pasur edhe Kalaja e Dodës. Në të gjithë qarkun rreth 115 familje kanë mbetur të bllokuara për shkak të dëborës, ndërsa probleme ka pasur edhe me energjinë elektrike.
Në zonë për të rregulluar defektet lidhur me energjinë elektrike kanë dalë rreth 300 punonjës të OSHEE-së.
Ndryshe është situata në Kukës. Shkrirja e borës dhe reshjet e shiut, po ndikojnë në rritjen e prurjeve të lumenjeve në liqenin e hidrocentralit të Fierzës të cilat u shtuan me 230 meter kub në sekondë duke e rritur me 75 cm nivelin e liqenit në vetëm 24 orë.
Por megjithëse ka një rritje të nivelit të Fierzës situata hidrike paraqitet e njëjtë si në muajt e verës. Aktualisht niveli i liqenit të Fierzës është 274 metra mbi nivelin e detit.
Ndërkohë, përmirësimi i motit ka ndikuar edhe në hapjen e rrugëve nga bashkia e Kukësit. E vetmja njësi administrative e bllokuar është ajo e Arrenit.