Sot u zhvillua analiza e 6-mujorit të parë të punës dhe rezultateve të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, të themeluar nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ku ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve shtetërore e të pavarura kushtetuese, të shoqatave e forumeve të ndryshme si dhe personalitete të shëndetit publik.
Me këtë rast Presidenti Meta duke theksuar rëndësinë dhe peshën e kësaj kauze jetike dhe njëkohësisht humane, vuri në dukje se:
“Pas 6 muaj përfshirjeje të drejpërdrejtë në këtë kauzë, jam i bindur se 3 arsye për të cilat e nisëm Aleancën: sensibilizimi e ndërgjegjësimi i shoqërisë; rritja e solidaritetit dhe nxitja e vullnetarizmit mbeten dhe do të vazhdojnë të jenë arsye të forta për një kohë të gjatë: të paktën deri atëhere kur të kemi një numër të qëndrueshëm dhe të mjaftueshëm dhurimesh vullnetare të gjakut që do të plotësonin të gjitha nevojat që ka shoqëria jonë dhe shqiptarët.
Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar gati 30 seanca dhurimi gjaku në të gjithë Shqipërinë dhe këtu dëshiroj të falënderoj çdo institucion që iu përgjigj menjëherë kërkesës për t’ju bashkuar nismës.
Në mënyrë të veçantë dua të falënderoj çdo dhurues, çdo individ, çdo qytetar që me kontributin e drejtëpërdrejtë na ka ndihmuar të plotësojmë objektivat e kësaj Aleance.
Këto aktivitete kanë patur një shtrirje të gjerë gjeografike, duke nisur me Bashkinë e Tiranës, që filloi e para seancat e dhurimit me institucionet e veta, në një periudhë shumë të vështirë siç ishte ajo e verës.
Për t’u shtrirë më tej me dhurime nga Shkodra në Konispol, nga Divjaka në Sarandë, nga Berati në Cërrik, nga Kavaja në Lezhë, nga Roskoveci dhe dje në Kamëz.
Falë impenjimit dhe kontributit të punonjësve të këtyre institucioneve, por edhe qytetarëvesituata shumë e vështirë e sigurimit të gjakut në stinën e verës, por edhe më tej, u zbut dhe u ndje shumë më pak nga të sëmurët talasemikë apo të sëmurët e tjerë që kanë pasur nevojë për gjak.
Institucione të tjera si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Kryqi i Kuq, Organizata e Dhuruesve Vullnetarë dhe anëtari më i ri i Aleancës sonë që ka ardhur edhe sot në këtë takim: ‘Fundjava Ndryshe’, rritën akoma më shumë kontributin e Aleancës me seancat e tyre të dhurimit të gjakut.
Ndërkohë që kemi ende institucione të tjera që priten të japin kontributin e tyre në në vazhdimësi.
Po kështu Institucioni i Presidentit të Republikës, ka mbështetur dhe ka promovuar të gjitha seancat për dhurimin e gjakut të zhvilluar gjatë kësaj periudhe dhe do të vazhdojë t’i mbështesë ato që do të zhvillohen në vazhdimësi.
Me këtë rast do të doja të theksoja rëndësinë e vazhdimit të sensibilizimit dhe mobilizimit tonë për zhvillimin e seancave sa më të shumta të dhurimit të gjakut nga të gjitha institucionet.
Nëse hapi i parë ishte dhurimi vullnetar i gjakut nga punonjësit e institucioneve tona, hapi i dytë dhe më i rëndësishëm është kthimi në një traditë i dhurimit vullnetar të gjakut, me organizimin e të paktën dy seancave dhurimi në vit të planifikuara nga të gjitha institucionet e Aleancës.
Së dyti, duhet të përqëndrojmë nje pjesë të punës sonë në rritjen e numrit të fushatave promovuese dhe sensibilizuese drejtuar të gjithë qytetarëve.
Është shumë e rëndësishme shpjegimi e sqarimi i dhuruesve potencialë për të mirat e dhurimit të gjakut si nga ana shëndetësore, dhe padyshim edhe ajo njerëzore.
Sa më shumë qytetarë të jenë të informuar, aq më i lartë dhe i qëndrueshëm do të jetë numri i dhuruesve vullnetarë.
Mendoj se, përfshirja aktive e Shoqatës së Pacientëve me Talasemi dhe e shoqatave të tjera anëtare të Aleancës në këto takime dhe në përgjithësi në promocionin e dhurimit vullnetar të gjakut, do të ketë një impakt direkt pozitiv në angazhimin e dhuruesve vullnetarë të gjakut.
Së fundi, por më e rëndësishmja, besoj se është rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në këto fushata sensibilizimi dhe dhurimi.
Sot, më 24 Janar është dita Ndërkombëtare e Edukimit, që na kujton rolin e edukimit për paqe dhe zhvillim, dhe unë jam i bindur se roli i të rinjve në këtë ditë dhe jo vetëm, për të sensibilizuar qytetarët për të dhuruar gjak për njerëzit në nevojë do të jetë thelbësor, sepse janë të rinjtë ata që formojnë numrin më të madh të dhuruesve vullnetarë dhe janë të rinjtë ata që mund të bindin më shumë se kushdo për rëndësinë e dhurimit të gjakut me shembullin e tyre.
I ftoj të gjithë të rinjtë të bëhen pjesë aktive edhe në të ardhmen e këtyre fushatave, sepse një angazhim më i madh i tyre do të thotë një numër më i lartë dhuruesish, por edhe një perspektivë më e mirë në këtë proces të dhurimit të gjakut.
Dëshiroj ta mbyll fjalën time duke ju falënderuar edhe një herë për angazhimin tuaj të deritanishëm dhe duke besuar se do të përmirësojmë më tej funksionim e kësaj Aleance dhe do të garantojmë një sistem të qëndrueshmë e të implementueshëm të dhurimit të gjakut në vendin tonë, gjithmonë me ndihmën e qytetarëve tanë.”
Në përfundim të fjalës së Tij, Presidenti i Republikës i ftoi të pranishmit për të diskutuar e për të dhënë komente dhe sugjerime se çfarë mund të përmirësohet më tej, bazuar në përvojën gjashtëmujore, për të arritur qëllimet e përbashkëta.