Në një ceremoni homazhesh, familjarë, të afërm, miq e sportdashës, por edhe personalitete politike kanë nderuar për të fundit herë Vasillaq Zërin, ish-lojtarin e Dinamos dhe Kombëtares që u nda dje nga jeta në moshën 66-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Përpara figurës së tij është përkulur sot edhe i pari i shtetit, Presidenti Ilir Meta, i cili e cilësoi humbjen e Zërit një humbje të madhe për sportin.
Duke u ktheyr në kohë, Presidenti tregoi edhe një histori nga familja, kur tha se bashkë me të atin, një tifoz jo normal i Dinamos, siç e përshkroi ai dhe bashkë me të e ndiqte në stadium Vasillaq Zërin. Ai e quajti magjistar triblimesh që vështirë se mund ta ndalje në fushë.
“Si djali i një tifozi jo shumë normal të Dinamos e kam ndjekur shumë Dinamon e atyre viteve, një nga ngjarjet më emocionuese ishte kur topi prekej nga Zëri, ai ishte magjistari i triblimeve. Ishte lojtari kyç jo vetëm i Dinamos por edhe i Kombëtares”,- tha Meta.
Ndër të tjera Presidenti shtoi se “Në planin njerëzor ai ishte model në fushë dhe jashtë saj. Në fushë shkëlqente, madje shpeshherë e dëmtonin se s’kishin si e mbanin dhe kontrollonin. Shembull dhe model i brezave”.
KUSH ISHTE VASILLAQ ZERI
Vasillaq Zëri vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka luajtur edhe me Shkëndijën dhe Dinamon. Në sajë të kontributit të tij, FSHF i kishte dhënë Zërit titullin “Nderi i Futbollit Shqiptar”. Kujtojmë se Vasillaq Zëri është konsideruar si një nga lojtarët më të mirë sulmues që ka patur futbolli shqiptar.
Karrierën ai e filloi në moshën të re për tri vite me “Shkëndijën” (1970-1973) dhe 21 vjeç titullar me Dinamon (73/74–83/84). Produkt i shkollës së parë të futbollit, i transferuar te Dinamo, Zëri është vlerësuar si një ndër futbollistët me një arsenal unik, shumë të madh teknik, aftësi të rralla dribluese, me veprime magjike në zona të ngushta. I paparashikueshëm, një lojë plot art e fantazi.
Përdorues i mirë i të dyja këmbëve, me një vizion periferik të admirueshëm, nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa e dribluar. Një “Mesi” i vërtetë për kohën. Me numrin 9, ndaj Ajaksit në “Qemal Stafa”, ishte i pakapshëm duke i habitur holandezët, që në Amsterdam e pritën si një yll i ardhshëm i tyre.
Në Shkodër, ndaj Vllaznisë në një ndeshje kupe, takimi i dytë, ka shënuar golin më spektakolar në minutën e 119-të, kur dribloi disa kundërshtarë. Gjashtë takime luajti me Kombëtaren: të parin në Tiranë, në miqësoren me Algjerinë në vitin 1976 (3-0), me trajner Boriçin dhe dy të fundit ndaj Bullgarisë, në “Qemal Stafa” (0-2) me 14 tetor 1981 dhe, në Vjenë, në sfidën e 22 shtatorit 1982, Austri-Shqipëri 5-0, kur trajneri Rreli e hodhi në fushë për të zëvendësuar Agustin Kolën. Me Kolën, Muçën e Mingën ka qenë në kombëtaren e viteve ‘81-‘82.
Ajo që për të gjithë mbeti një ëndërr e parealizuar, ishte që nuk patën fatin të provonin e të luanin më skuadra jashtë Shqipërisë. Kush më shumë e kush më pak, në një fare mënyre kanë pasur oferta, ndonëse jo zyrtare. Por, dëshira e parealizuar e Zërit është unike: Nuk pati fatin të kishte president klubi, si këta që janë sot. Ishte koha kur mungonin dhe as që bëhej fjalë për premio, e pagesa të larta.