Teksa banorët e Astirit vijojnë protestat e tyre të përditshme, policia dhe strukturat shtetërore duket se po përdorin të gjitha mënyrat për tiu bërë presion atyre.
Sot forcat policore të Komisariatit nr.2 kanë marrë nga shtëpia e tij shtetasin Besnik Doçi, një protestues i përditshëm i Unazës së Re, shtëpia e të cilit është planifikuar të prishet pa dëmshpërblim. Doçi ka qenë duke lyer shtëpinë e tij, por forcat e Komisariatit policor po përgatiten t’i presin fletë-arrestin, nën arsyetimin të “ndërtimit pa leje”.
Qindra protestues të Unazës së Re po marshojnë drejt Komisariatit nr.2 në mbështetje të Doccit. Ata thonë se s’do të largohen prej andej pa marrë me vete edhe personin që u ndalua.
Bashkë me protestuesit janë edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilët prej më shumë se 80 ditësh janë në krah të banorëve që protestojnë në mbrojtje të shtëpive të tyre.