Meta mesazh ngushëllimi për zv/ministrin e Kosovës

Saturday, 26 Janar 2019 18:55

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur ngushëllimin e tij për ndarjen nga jeta të poliotikanit të Kosovës, Arian Daci.

Postimi i Presidentit në facebook:

Jam shumë i tronditur nga lajmi i hidhur i humbjes së jetës së zv/ministrit të Diasporës së Kosovës, Arian Daci gjatë tragjedisë në Brezovicë.
Në këto momente të vështira për familjen Daci, të afërmit e miqtë e tyre, u qëndroj pranë, duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje tragjike të parakohshme që na ka lënduar të gjithëve.

Ngjarja

Orteku ka rënë në vendin e quajtur “Folea e Shqiponjës”. Ilir Morina, drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë ka konfirmuar rastin duke sqaruar se Daci ka humbur jetën, ndërsa një person është shpëtuar në momentet e fundit.

“Njërin e kemi shpëtuar, tjetri ka vdekur”, ka thënë Morina. “Dyshohet se viktima Arian Daci është djali i Nexhat Dacit”, ka thënë më tej Morina.

Sipas tij, ata kanë shkuar në Brezovicë dhe kanë bërë sporte ekstreme jashtë stazhës, gjë që dyshohet se ka shkaktuar ortekun.

Nexhat Daci është një nga akademikët dhe politikanët më të vlerësuar në Kosovë, ndërsa ka mbajtur dhe postin e kryetarit të Kuvendit.

Për ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj:

I tronditur nga fatkeqësia në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci, zëvendësministër i diasporës, kurse mbeti i lëndur Ardian Bakalli. Ngushëllimet më të sinqerta mikut tim, Akademik Nexhat Dacit, familjes së ngushtë të Arianit si dhe miqve e kolegëve të tij.

Modifikuar më Saturday, 26 Janar 2019 19:06
Login to post comments