Lajm i mirë për emigrantët shqiptarë rezidentë në Itali

Hënë, 28 Janar 2019 13:43

Një lajm i mirë vjen për të gjithë shqiptarët emigrantë në Itali, të cilët përfitojnë pagesa sociale. Duke nisur nga 1 janari 2019, Instituti Nacional për Sigurimin Social ka vendosur që shuma mujore të rritet, duke arritur 5.954 euro në vit (nga 5.889 euro që ishte në vitin 2018). Por, një tjetër ndryshim prek moshën e përfituesve të këtij çeku, për të cilën INPS ka vendosur ta rrisë me një vit, pra nga 1 janari 2019, mund ta kërkojnë vetëm ata që kanë mbushur 67 vjeç.

Çeku social, i cili përcakton kufirin minimal të të ardhurave për disa praktika që kanë të bëjnë me imigrantët, – për vitin 2019 është përkatësisht 6 euro më shumë çdo muaj dhe përfitohet i ndarë në 13 këste, siç shpjegohet nga INPS në faqen e internetit.

Çeku u takon shtetasve më të varfër italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve. Për të përfituar çekun, është e nevojshme që i moshuari që e kërkon – nëse nuk është i martuar – të mos ketë asnjë formë fitimi apo të ketë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku (ose dyfishi, përkatësisht 11.908 euro, për personat e martuar).

Edhe këtë vit, kanë të drejtën e çekut social të plotë të gjithë të moshuarit e pamartuar që nuk kanë asnjë të ardhur dhe të martuarit që kanë të ardhura familjare më të ulëta se çeku social. Gjithashtu njoftohet se, kanë të drejtën e çekut në masë të reduktuar të gjithë të pamartuarit me të ardhura nën shumën e çekut dhe të martuarit me të ardhura familjare nga shuma e një çeku deri në dyfishin e tij.

Për shembull: Nëse një i moshuar i pamartuar që jeton në Itali, ka një pension në Shqipëri prej 1.000 € në vit, do të marrë si çek social vetëm 4.954,00 në vit, ose 13 këste nga 381,08 €. Por një i moshuar mbi 67 vjeç që jeton me bashkëshorten që arrin të fitojë 8.000 euro në vit do të marrë si çek social vetëm 3.908,00 në vit (11.908,00-8.000,00), ose 13 këste nga 300,62 €. Nëse bashkëshortja fiton deri në 5.954,00 euro në vit, i moshuari fiton çekun social të plotë.

Login to post comments