Vijojnë bastet dhe lojrat e fatit, procedohen penalisht dy biznesmenë

Hënë, 28 Janar 2019 16:51

Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 2 raste, një në Tiranë dhe një në Kukës.

2 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy tavolina pokeri, dy valixhe me çipsa, një monitor për lojëra fati dhe tre njësi kompjuterike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi B. C., 62 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën ”Nikolla Tupe”, në ambientet e lokalit të tij iu gjetën dy tavolina pokeri dhe dy valixhe me çipsa.

Në qarkun Kukës, u procedua penalisht shtetasi E. K., 29 vjeç, pasi në qytetin e Tropojës, në lokalin e tij iu gjetën tre njësi kompjuterike dhe një monitor, të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.

Login to post comments