Erion Veliaj do të shkatërroj pedonalen dhe zonën historike të Tiranës. Denoncimi vjen nga Departamenti Antikorrupsion në PD sipas te cilit kryebashkiaku i Tiranës me papërgjegjshmëri të plotë, hedhin në kosh mbeturinash mbi 5 milion euro, fond i akorduar nga BE për ndërtimin e kësaj pedonaleje, në periudhën e drejtimit të Bashkisë Tiranë nga z. Lulzim Basha.
Denoncimi i Departamentit Antikorrupsion në PD
Pasi miratoi lejen e ndërtimit të tri kullave një krah larg Kullës së Sahatit, Bashkia e Tiranës duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkatërrimit të Pedonales në rrugën “Murat Toptani”.
Erion Veliaj dhe shefi i tij, në funksion të realizimit të ndërtimit të kullave Fusha, me papërgjegjshmëri të plotë, hedhin në kosh mbeturinash mbi 5 milion euro, fond i akorduar nga BE për ndërtimin e kësaj pedonaleje, në periudhën e drejtimit të Bashkisë Tiranë nga z. Lulzim Basha.
Projekti i prokuruar nga Bashkia Tiranë, parashikon korsi autobusi, vende parkimi, si dhe vendosjen e koshave të grumbullimit të mbetjeve urbane, çka e denatyralizon këtë segment, si i projektuar dhe realizuar vetëm për këmbësorë, si dhe cënon vlerat historike të saj.
Në mënyrë të shprehur kërkohet që projektimi të mbajë parasysh (cit ) “zhvillimet urbane të pritshme, perspektivën e zonës, përballimit të kapaciteteve faktike dhe të perspektivës, gjerësia e korsive për qarkullim të përzier të mjeteve”.
Po kështu në detyrat e projektimit kërkohet (cit) “[…] si drejtim i parë është rritja e intensitetit të ndërtimeve në zonat ekzistuese të ndërtimit dhe drejtimi i dytë është zhvillimi I ndërtimeve në zona të pazhvilluara më parë”.
Po kështu, zërat në ujësjellës, hidrantë, rrjeti i telefonisë-internetit etj., flasin të gjitha për një synim të vetëm: vënien dhe transformimin e kësaj pedonaleje në funksion të transformimit që do të pësojë e gjitha zona, falë ndërtimit të kullave Fusha dhe kullave të kumarit.
Kujtojmë që rehabilitimi prej 20 miliardë lekësh i sheshit “Skënderbej” ka passjellë një situatë kaotike me transportin dhe trafikun në kryeqytet. Pikërisht, duke sakrifikuar pedonalen në rr. “Murat Toptani”, Erion Veliaj ka menduar t’i japë zgjidhje këtij problemi të blerë më 20 miliardë lekë.
Nuk ka asnjë kriter të saktë dhe konkret në lidhje me ruajtjen e vlerave historike që ka kjo rrugë, por vetëm një përcaktim evaziv, atë të bashkëpunimit të hartuesit të projektit me Ministrinë e Kulturës.
Kjo është vepra shkatërruese e radhës e dyshes Rama-Veliaj për projektin kullizues të Tiranës dhe pastrimit të parave të klientë-ortakëve.