Ndërsa njoftoi se duke nisur prej datës 1 shkurt targat e Provës do të jepen me regjistër te veçantë, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor përmes një njoftimi zyrtar ka sqaruar kushtet ligjore që duhet të plotësojë çdo subjekt që ushtron aktivitetin e shitblerjes së mjeteve të reja ose të përdorura, për t’u pajisur me targa provë pranë DPSHTRR-s.
Sipas kësaj të fundit, veprimtaria e shitblerjes së automjeteve të reja/të përdorura u lejohet vetëm subjekteve të licencuara në kategorinë VII.3 të ligjit për licencat. Sipas DPSHTRR-së, pajisja me licencën përkatëse profesionale bëhet vetëm në rast të zbatimit të kushteve ligjore nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
“Sqarim në lidhje me kushtet ligjore që duhen plotësuar nga subjekti i cili ushtron aktivitetin e shitblerjes së mjeteve të reja ose të përdorura, për t’u pajisur me targa provë pranë DPSHTRR-së.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në zbatim të nenit 97 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë ka tagrin ligjor për pajisjen e subjekteve që përmbushin kushtet e parashikuara në legjislacionin përkatës, me targën provë dhe me autorizimin shoqërues për qarkullim prove, me afat vlefshmërie 1 vit.
Ndër subjektet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, pajisen me targë prove edhe subjektet të cilat ushtrojnë veprimtarinë e shitblerjes së mjeteve të reja apo të përdorura. Konform nenit 12 të kreut III të ligjit nr. 9573, datë 03.07.2006 “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, të ndryshuar, veprimtaria e shitblerjes së automjeteve të reja dhe/ose të përdorura u lejohet vetëm subjekteve juridike të licencuara në kategorinë VII.3 të ligjit për licencat, sipas klasifikimit të bërë në nenin 2 dhe nenit 4/d të po këtij ligji.
Në zbatim të këtyre dispozitave ligjore është miratuar udhëzimi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës nr. 1546, datë 29.03.2016 “Autoriparimi i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove”, i cili në nenin 6 të tij “Blerja, shitja, e mjeteve me motor dhe rimorkio” përcakton në mënyrë të detajuar kriteret që duhet të plotësojnë subjektet e lartpërmendura për ushtrimin në mënyrë të ligjshme të aktivitetit të tyre. Ndër kushtet teknike te detyrueshme për zbatim, ky udhëzim në germën (b) dhe (c) të pikës 2 të nenit 2, parashikon që pjesë e dokumentacionit që duhet dorëzuar për licencim është edhe kopja e dëshmisë së aftësisë profesionale të përgjegjësit teknik si dhe kontrata e punës e lidhur midis drejtuesit ligjor dhe përgjegjësit teknik me afat të përcaktuar mbi 1 vit.
Neni 10 i këtij udhëzimi ngarkon DPSHTRR-në për organizimin e kurseve të kualifikimit për ngritjen e nivelit tekniko profesionale të përgjegjësve teknikë dhe të punonjësve të tjerë të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e shitblerjes së mjeteve të reja dhe ose të përdorura. Në këtë pikë DPSHTRR ka marrë të gjitha masat për mos të shkaktuar vonesa të paarsyeshme duke miratuar dhe bërë publike çdo muaj programin e trajnimit, oraret e trajnimit si dhe oraret e zhvillimit të testimit për të gjithë subjektet e interesuara.
Për sa më sipër vetëm pas zbatimit të kushteve ligjore respektive, subjekti pajiset me licencën përkatëse profesionale që lëshon Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Për mënyrën e zbatimin e ligjit nr. 9573, datë 03.07.2006 dhe udhëzimeve në funksion të tij, DPSHTRR ka bërë njoftime të njëpasnjëshme qoftë nëpërmjet medias elektronike qoftë përmes medias së shkruar, madje ka marrë masa edhe për njoftimin e subjekteve pranë ambienteve ku ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Përmendim gjithashtu që në maj të vitit 2018 DPSHTRR ka ushtruar kontroll si autoritet i ngarkuar me këtë detyrë në zbatim të nenit 37 të ligjit nr. 9573, datë 03.07.2006 “Për autoriparimin, shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motor, të rimorkiove dhe pjesëve të tyre të dala jashtë përdorimit ose të braktisura dhe për veprimtaritë që lidhen me to”, të ndryshuar, në lidhje me plotësimin e kushteve teknike dhe administrative të të gjithë subjekteve që janë objekt i tij.
Përfundimisht sqarojmë që DPSHTRR është drejtori shërbimesh, ku nënkuptohet çdo shërbim që ka lidhje me mjetin, me drejtuesin e mjetit, me sigurinë e qytetarëve në rrugë si dhe me kontributin në ekonominë e shtetit shqiptar dhe detyrimisht ushtrimi i veprimtarisë së saj është e lidhur ngushtësisht me zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.”