Ligji i arsimit të lartë, Fuga e fton live Ministren për ballafaqim në Senat dhe Asamble

E mërkurë, 30 Janar 2019 22:04

Akademiku, Artan Fuga, duke komentuar mbledhjen e sotme në Komisionin e Medias thotë se nuk arrin ta besojë sesi deputetë propozojnë amendime të ligjit të arsimit të lartë pa u konsultuar me pedagogë.

Në një lidhje me skype në studion e lajmeve në Ora News, ku e ftuar ishte dhe Ministrja Shahini, Fuga i drejtoi një ftesë të hapur për një ballafaqim në Senatin e Universitetit të Tiranës dhe Asamblenë e Filologjikut.

Artan Fuga: Dëgjova sot seancën e Ministres në Komisionin e Medias. Kam mbetur i habitur sesi deputetë të partive të ngjyrave të ndryshme politike dhe Ministria diskutojnë me njëri-tjetrin për të bërë amendime në ligj pa marrë mendimin e pedagogëve. Klasa intelektuale dhe teknokrate janë vënë mënjanë në këtë rast. E kuptoj që të kërkohet një rol më i madh i studentëve por në Universitete janë dhe pedagogë.

Për ato amendime mund të pranohet ose jo të ndryshojë ligji por fakti se ato amendime konsiderohen jo të gjetura kjo nuk do të thotë se ligji nuk ka vend ku të përmirësohet. Kemi një logjikë politike që e ka zor të tërhiqet, kurse ne nga pikëpamja shkencore themi se kemi një ligj që mund të ketë sjellë rezultate, mund të ketë sjellë dhe probleme, hajde të hapim një diskutim. Kur pranohet të hapet një diskutim me studentët, Ministrja të shkojë dhe te Asambletë, te Senatet. Ajo është e re në detyrë, unë ja sugjeroj.

Besa Shahini: Patjetër çfarëdo institucioni që bën ftesë unë do ti përgjigjem.

Artan Fuga: Unë si anëtar i Universitetit të Tiranës që sot në darkë do marr kontakt dhe dua të përfitoj që kjo ftesë të bëhet dhe të ketë një ballafaqim shumë konstruktiv. Jam dhe anëtar i Asamblesë së Fakultetit Filologjik dhe do bisedoj që sot në darkë. Nëse i pranon të dyja.

Besa Shahini: I pranoj.

Ministrja e Arsimit tha gjithashtu se hartimi i ligjit për arsimin e lartë është bërë në konsultim të plotë me pedagogë dhe institucione të arsimit të lartë.

Besa Shahini: Janë konsultuar pedagogët dhe institucionet e arsimit të lartë dhe i kemi të gjitha mendimet e arkivuara në arkivin tonë të cilat do ti vëmë në dispozicion. Memoria institucionale ndonjëherë na mungon dhe harrojnë ato që i kanë sugjeruar para 3-4 viteve. Ndërsa ndryshimet ligjore të deputetëve të LSI duhet të diskutoheshin me pedagogë dhe institucione të arsimit të lartë.

Modifikuar më E mërkurë, 30 Janar 2019 21:32
Login to post comments