Hetimet/ Kush e nxori në pritë ish-policin, 15 gëzhoja në vend

E Enjte, 31 Janar 2019 10:00

Plot 15 gëzhoja janë gjetur në vendin ku u vra ish-efektivi i policisë Arben Bilali, çka tregon se vrasësit ishin përgatitur dhe donin patjetër vdekjen e objektivit.

 

Por ajo që mbetet ende me shumë pikëpyetje është fakti se cili ka qenë motivi apo personi që ka nxjerrë nga shtëpia 50-vjeçarin që e dinte mirë se çfarë e priste, duke qenë se familja ishte në hasmëri me një tjetër familje në zonë.

Arben Bilali ishte ngujuar dhe nuk dilte nga banesa pothuajse fare për shkak të vrasjes së dy vëllezërve të tjerë të tij, Bujar Bilali në 1998 dhe Leonard Bilali në 2010, për të njëjtën histori hakmarrjesh.

Madje në zonën ku ndodhet banesa e familjes Bilali nuk ka as dyqane, lokale apo subjekte të tjera shërbimesh ku mund të shkonte Arbeni. Ndaj dyshohet se ka qenë një person i njohur i tij që mund ta ketë nxjerrë nga banesa.

50-vjeçari u qëllua dje me automatik disa metra larg banesës në zonën e Selitës nga dy persona që lëviznin me një automjet tip “Benz” të zi. Në policia janë shoqëruar disa persona që po merren në pyetje për të zbuluar detaje dhe informacione që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë familja Bilali ka hapur dyert e morti dhe ceremonia e varrimit është parashikuar sot në orën 13:00 në varrezat e Prezës, vend nga i cili janë me origjinë. Pasditen e djeshme, pak orë pasi ndodhi ngjarja, në banesën e familjes Bilali ka mbërritur dhe një ambulancë me staf mjekësor, pasi nëna e 50-vjeçarit ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po ashtu dhe persona të tjerë të familjes.

Login to post comments