Pjesë e dosjes "339" është dhe shit-blerja e votave në Dibër. Redaktori i lajmeve në Rtv Ora News, Trazhgim Sokolaj, thotë se nga Dibra ka dalë vetëm maja e ajsbergut, duke deklaruar se gjatë fushatës në Dibër është përgjuar dhe një anëtar i kabinetit qeveritar.
Trazhgim Sokolaj: Ka konfirmime që në të njëjtën dosje është përgjuar gjatë fushatës në Dibër dhe një anëtar i kabinetit qeveritar. Është e çuditshme sesi prokuroria ka qëndruar në një pozitë shumë pasive. Nuk janë bërë veprime të tjera shtesë, nuk është angazhuar policia gjyqësore, strukturat lokale të policisë.
Aty është një numër shumë i lartë personash që përmenden, janë zyrtarë publikë. Rasti i Dibrës është treguar vetëm maja e ajsbergut. Sipas konfirmimeve që kam rezulton se një numër i madh personash në Dibër dhe Tiranë kanë qenë në dijeni të faktit që nga kryeqyteti merreshin me furgona dhe autobusë banorë që ishin me banim në Tiranë dhe përmes manipulimeve në regjistrin e votuesve dërgoheshin dhe votonin në Dibër.
Në Dibër ka pasur një shtab ilegal të organizuar nga një forcë e caktuar që kanë dalë nëpër fshatra dhe kanë mbledhur banorë për ti çuar për të votuar për një subjekt të caktuar.Për të devijuar votën e tyre kanë përdorur pagesa 50 mijë lekë për person, ka pasur raste që janë blerë votat në bllok por edhe raste të tjera që janë kërcënuar me heqje nga puna ose janë joshur me punësim në administratën lokale në Dibër apo dhe punësime në aktivitete private.
Sipas Sokolaj, për hapjen e dosjes "339" ka ndikuar dhe një raport që ka ardhur nga autoritetet e huaja përmes UNMIK-ut në Kosovë.
"Ka dhe një dosje në Kosovë" tha ai.